Vrasja e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, gjatë natës në Teheran nga një sulm ajror, ka rritur tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme.
Pas vdekjes së Fuad Shukr, numri dy i milicisë shiite libaneze të Hezbollahut, i goditur të martën nga një raketë në Bejrut, vrasja e liderit politik të Hamasit ka ngjallur reagime jo vetëm në botën islame, por edhe dënime të ashpra nga Rusia dhe Kina.
Kina dhe Rusia qëndrojnë përkrah Iranit, Turqisë dhe botës arabe nga njëra anë, Izraeli dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ana tjetër.
Nga njëra anë, dënimet, akuzat dhe kërcënimet, nga ana tjetër garancia nga Uashingtoni që siguron se “ne do të mbrojmë Izraelin” dhe që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm, përbëjnë kushtet për një përshkallëzim që mund të ndezë konfliktin më shumë në të gjithë rajonin.
Vdekja e Haniyeh përfaqëson një goditje të fortë dhe një plumb për të gëlltitur për regjimin e Ajatollah. Republika Islamike iraniane ka dështuar edhe një herë të garantojë sigurinë brenda kufijve të saj dhe po e shndërron zhgënjimin e saj në kërcënime.
“Me këtë akt, regjimi kriminal dhe terrorist sionist ka përgatitur terrenin për të marrë dënime të rënda. Për ne është detyrë të hakmerremi për gjakun që u derdh në territorin e Republikës Islamike të Iranit”, tha lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Fjalë të ashpra, të cilat u përsëritën nga presidenti i ri Masoud Pezeskian.
Betimi i këtij të fundit ishte rasti që kishte sjellë Haniyeh në Teheran. Pezeskian betohet se Irani “është i gatshëm t’i bëjë pushtuesit sionistë të pendohen”, të mbrojë tokën, nderin dhe dinjitetin e vet dhe betohet se nga sot e tutje lidhja me rezistencën palestineze është edhe më e fortë.
Vrasja e Haniyeh dënon presidentin e ri iranian të ndjekë vijën e ashpër të diktuar nga Khamenei, nga zemërimi i Gardës Revolucionare Iraniane dhe nga presioni i opinionit publik.
Kërcënimet e Iranit i shtohen atyre të Libanit, një vend tjetër i goditur të martën në tokën e tij dhe jo për herë të parë në muajt e fundit. Kryeministri libanez, Najib Mikati, ka dënuar vrasjen e Shukr dhe Hanieye dhe paralajmëron për përshkallëzim.
Ky është një rrezik i madh. Bota duhet ta detyrojë Izraelin t’u bindet vendimeve dhe ligjeve ndërkombëtare.
Erërat e luftës e shtyjnë Hezbollahun në veprim, i cili betohet se veprimet e Izraelit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë vendosmërinë e rezistencës deri në fitore.
Shumë i ashpër ka qenë edhe reagimi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili dënoi dhe mallkoi një atentat të cilësuar si “të lig dhe frikacak” dhe iu drejtua Haniyeh si “vëllai im”.
Vitet e fundit, vetë Turqia kishte krijuar një strehë të sigurt për udhëheqësit e mërguar të Hamasit, përfshirë Haniyeh dhe Al Rouri të vrarë në Bejrut në janar.
Erdogan nuk e konsideron Hamasin një grup terrorist, por një grup rezistence dhe e kishte mirëpritur Haniyeh në rezidencën e tij në Stamboll prillin e kaluar.
“Martirizimi i vëllait tim Haniyeh është një akt që synon të demoralizojë popullin palestinez, por barbaria sioniste nuk do t’i arrijë kurrë objektivat e saj”, betohet lideri turk që nuk dorëzohet dhe këmbëngul në krijimin e një shteti palestinez.
Të dielën e kaluar Erdogan kërcënoi se do të ndërhynte në Izrael, siç ka bërë Turqia në të kaluarën në Kaukaz dhe Libi. Fjalët që lëshuan një spirale kërcënimesh ku hebrenjtë thonë që vetëm anëtarësimi i Turqisë në NATO e pengoi të degjeneronte në akte të rrezikshme.
Fjalët e Erdoganit kishin për qëllim të ushtronin presion mbi komunitetin ndërkombëtar, por ai kërcënim jo dhe aq i mbuluar sot merr një ton më shqetësues.
Në muajt e fundit Ankaraja është përpjekur të ndërmjetësojë një marrëveshje armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit duke shfrytëzuar kanalin e hapur me palestinezët.
Megjithatë, shpresat sot duken si të vdekura, siç nënvizoi ministri i Jashtëm Hakan Fidan, i cili flet për Haniyeh si “një njeri që është i përkushtuar ndaj armëpushimit”, edhe pas humbjes së anëtarëve të familjes në Gaza.
Përçarja është shumë më e thellë dhe ka të bëjë me gjigantë si Rusia dhe Kina. Pekini ishte një nga qeveritë e para që dënoi veprimin e dyshuar të Izraelit.
Vetë qeveria kineze kishte ndërmjetësuar një marrëveshje të fundit midis Hamasit dhe Autoritetit Kombëtar Palestinez për të garantuar unitetin e frontit politik.
Një objektiv për të cilin u punua edhe nga qeveria ruse, e cila e priti Haniyeh në Moskë vetëm pak muaj më parë.
Vetë Lavrov paralajmëroi sot për “ndikimin jashtëzakonisht negativ në kontaktet e ndërmjetësuara midis Hamasit dhe Izraelit” dhe akuzon autorët e vrasjes si të vetëdijshëm për pasojat e rrezikshme për të gjithë rajonin.
Për Lavrov, qëllimi i Izraelit për të zhdukur Hamasin është thjesht “surreal”.
Mbështetja e SHBA për Izraelin e bën situatën potencialisht shpërthyese. Në fakt, pak minuta pas përhapjes së lajmit për vdekjen e Haniyeh, sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin garantoi se “Uashingtoni do të ndihmojë në mbrojtjen e Izraelit nëse ai sulmohet” dhe i hodhi ujë zjarrit duke deklaruar se një luftë më e gjerë në Lindjen e Mesme nuk është e pashmangshme.



