Qeveria nuk tërhiqet nga HEC-et në Vjosë (VIDEO)

Qeveria nuk tërhiqet nga HEC-et në Vjosë (VIDEO)

Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të tërhiqet nga planet e saj për të lejuar ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosë, pavarësisht thirrjeve që vijnë nga organiztat mjedisore për ruajtje të ekosistemit. Kreu i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, sjell si shembull Greqinë, nga ku buron lumi Vjosë.

HEC i parë është ndërtuar që në burim. Pra nëse do të shkosh në malet e Pindosit, ku buron Vjosa, Greqia ka bërë digën që në burimet e saj. Ka bërë një liqen dhe e shfrytëzon atë për hidrocentral.   

Mundësia që e gjithë lugina e Vjosës të shpallet zonë e mbrojtur nuk përqafohet nga qeveria.

Teknikisht më duket gati e pamundur që një rrjedhë lumi nga fillimi deri në fund të shpallet zonë e mbrojtur sepse përveç energjetikës, këta lumenj janë edhe pjesë e shfrytëzimit për vaditje, janë pjesë e aktiviteteve të ndryshme që zhvillon komuniteti. Shumë herë ne shohim vështirësi në menaxhimin e këtyre zonave kaq të mëdha, kaq të gjera, që arrijnë t’i mbrojnë apo nuk arrijnë t’i mbrojnë. Është po prapë qeveria, jo unë që shpall një zonë të mbrojtur. Pra nëse qeveria ka dhënë leje për HEC, nuk mund të japë leje për zonë të mbrojtur

Protestën e pak ditëve më parë të banorëve të Cidhnës në Peshkopi, të cilët akuzuan Agjencinë e Zonave të Mbrojtura se është rreshtuar në krah të firmës që po devijon burimin e Saponikës të shpallur monument natyre, Dedej e quan të nxitur nga palë të treta.

Pretendimi përsëri i disa banorëve, jo të gjithëve, ta bëjmë të qartë këtë punë, quhet sikur ne kemi pasur disa koordinata dhe ne i kemi gënjyer. Nuk ka pasur koordinata. Vendimi për monumente të natyrës i vitit 2002 bën fjalë për emërtesa dhe jo kufi. Ata thonë se gryka e Sedës vazhdon deri në atë zonë që janë ata. Për ne nuk ka qenë dhe nuk është në atë zonë që bëhet fjalë. Kemi një debat që ka të bëjë me ujin që del nga shpella. Ne kemi monument natyre shpellën. Pra normalisht mundohemi të ruajmë shpellën. Pra ka qenë monumenti natyror, jo burimi ujor

Ka qenë një argument i shumëpërfolur plani i menaxhimit të Butrintit, për të cilin agjencia ka bërë propozimet e saj.

Propozimi ka qenë që parku të ngelet siç është. Sigurisht që ne do të kërkojmë largimin e zonës së Ksamilit, që është pjesë e parkut dhe që sot është një zonë tepër e banuar. Kemi kërkuar që nga të ardhurat që përfitohen në pjesën e vizitorëve të qytetit antik të rikthehet një pjesë për investime në zonën mjedisore

Pavarësisht se ka vetëm 4 vjet që është krijuar si agjenci sërish mbeten problem burimet njerëzore dhe bashkëpunimi me pushtetin vendor.

Ne kemi trashëguar një pjesë të stafit nga ish-drejtoritë pyjore dhe kemi marrë një staf relativisht të përgatitur, por jo shumë për ato sfida që ne kërkonim. Pra ishin më shumë me informacion pyjor, por jo për menaxhimin e zonave të tilla. Ka shumë kryetarë bashkish që janë tepër pozitivë, bashkëpunues. Ka edhe disa që na shikojnë jo me kënaqësi. Kjo duhet thënë sepse në menaxhimin e territorit pyjor kryesisht, ne jemi e vetmja agjenci shtetërore që menaxhojmë territor shtetëror. Pjesën tjetër e ka marrë pushteti vendor. Kështu që na shohim pak sikur u kemi marrë një pjesë të territorit të tyre

Ndërkohë që në bazë të të dhënave zyrtare,18% e territorit shqiptar përfshihet nën zonë të mbrojtur.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy