
Policia e Kosovës ka hyrë në sallën e Kuvendit ku po qëndronin deputetët e Vetëvendosjes.
Ata kanë larguar nga salla e Kuvendit deputetët e kësaj force politike të cilët tri herë radhazi kanë hedhur gaz lotsjellës në seancën e sotme gjatë votimit për demarkacionit.
Gjatë largimit të deputetëve të Vetëvendosjes nga salla, deputetja Arbërie Nagavci ka deklaruar se vendimi për largimin e tyre është vendim i Kadri Veselit.
“Ky është vendim me shkrim i Kadri Veselit. Deputetët po largohen me vendimin e tij nga ana e policisë”, ka thënë Nagavci.
Edhe deputetja, Albulena Haxhiu theksoi se ajo u arrestua për pak momente por pastaj u lirua.
“Kemi urdhër që ta lironi sallën e Kuvendit për shkak të ekzaminimit. Ne e pamë që ai ishte vendim i Kryesisë së Kuvendit e jo i Policisë apo Prokurorisë. Na larguan nga salla dhunshëm. Sapo dola unë më arrestuan, i pyeta përse më thanë që e merr vesh me kohë”, ka thënë Haxhiu.




