Gazetari Sokol Bregu duke folur MCN Live zbuloi detaje nga megaoperacioni “Flakë në det”, ku u arrestua ish-shefi i Policisë së Kurbinit Dritan Metaj. Bregu thekson se operacioni i djeshëm tregoi se nuk mund të guxosh të dekonspirosh një operacion të përbashkët me agjencitë e huaja ligjzbatuese. Bregu bëri me dije se Dritan Metaj lajmëroi në momentin e arrestimit dhe një sasi droge që mendohet të ketë qenë e madhe është djegur. Bregu paralajmëroi se me “Metamorfozën 2” pritet të dalin si të përfshirë emra drejtuesish të lartë policie, si dhe politikanë.
Megaoperacion për shkak se ka edhe të huaj, mund ta quajmë. Ministrisë apo Policisë mund t’i vlejë për t’i bërë reklamë vetës, por çështja nuk mbetet këtu. E djeshmja na tregoi që në operacione të përbashkëta, kur është DEA në mes, Frontex, apo Guardia Di Financa, kur kemi partnerë të huaj mos guxo ta dekonspirosh operacionin sepse do bëhen hetime të thella. Nuk arrij dot ta kuptoj se si shefi i komisariatit të Kurbinit, një polic i vjetër në detyrë, dekonspiroi një aksion kaq të rëndësishëm që ishte me partnerët e huaj. Partnerët e huaj kishin një informacion që lidhet më trafikun me Ukrainën. Atë ditë dikush i njoftoi dhe i vunë zjarrin një sasie të konsiderueshme droge. SPAK ka bërë investigime të mëtejshme. Sa herë që partnerët e huaj dështojnë në Shqipëri kërkojnë se si ndodhi dekonspirimi. Ishte një operacion i madh. 23 kg i kishte rënë në breg të detit. U dogj e gjithë sasia e drogës, nuk u verifikua sa ishte. Por nuk mund të vijë një Velierë pa pasur 1 apo 2 tonë drogë. Provat u zhdukën sepse u dogj. Ne mund të themi ishin 2-3 apo 4 tonë, por nuk u arrit të verifikohet sa ishte sasia. Filluan hetimet, doli që ishte shefi i Komisariatit ai që kishte lajmëruar. Kishim të bënim me një grup të strukturuar kriminal, skafisti ishte nga Vlora. Kishte shkuar në Patok, në Laç. Aty është lidhja e Gëzim Çelës, unë s’do ta quaja baron, baron i ka mbetur në vitin 2008-ën. Në 2014-ën kur e arrestuan, forcat RENEA kur shkuan në vilën e tij, janë ato planet ku e godasin me vare kasafortën e tij ku doli një sasi e konsiderueshme kokaine në atë kohë.
Goditja e djeshme ishte vetëm për shefin e Komisariatit. Dritan Metaj i lajmëroi direkt në momentin e arrestimit. Ishte vënë në dijeni, lajmëroi, dhe në momentin e fundit u kapën vetëm ukrainasit, tre të tjerët u larguan. Besoj që ka pasur hije dyshimi Dritan Metaj, sepse i kanë lënë vetëm 45 ditë kohë. Lidhjet sipas informacionet që kemi janë akoma më të mëdha. Opinioni dhe gazetarët janë në pritje të daljes së ‘Metamorfoza 2’, ku qarkullojnë informacione se ka një pjesë të madhe të drejtuesve të policisë të përfshirë dhe kjo ka ndalur ndryshimet e reja në polici. Thuhet se ka edhe më lart se drejtuesit e Policisë. Ka edhe pjesë të politikës, sepse pa politikë nuk mund të marrësh një emërim në polici. Ka deputetë zone që janë të interesuar për shefa komisariatesh apo drejtues vendore. Ajo do kohë që të verifikohen të gjitha, pasi dikush mund të jetë në përgjime rastësisht, s’ka faj dhe do kohë për t’u vërtetuar. ‘Metamorfoza 1’ mori shefin e operacionales, që është pika kyçe. Duket një qasje ndryshe e ministrit të Brendshëm. Fakti që ministri i Brendshëm do që të ndryshojë edhe strukturën, do zhdukë familjarizimin në shumë komisariate të vendit, do shkrijë FNSH-në, që kanë shumë pak kontribut në Policinë e Shtetit. Ky është një premtim nëse do realizohet do ketë impakt të madh për policinë”.



