
Edi Rama është i përfshirë në mënyrën më të pakontestueshme në një nga aferat më të zeza të kohërave.
Një deklaratë e tillë u bë nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke shtuar se de facto, Edi Rama ka përdorur si aset të tij, një nga njerëzit më të rëndësishëm të sistemit të sigurisë së SHBA, për definicion të botës së lirë, ish-shefin e kundërinteligjencës të FBI, një nga njerëzit më të besuar të asaj toke dhe atij vendi, Charles McGonigal.
Me qëndrimin e tij të papërgjegjshëm, Edi Rama përpiqet të hiqet duar jashtë.
Në një kohë kur aktakuza e botuar nga Ministria e Drejtësisë e SHBA, në 16 faqet e saj, të paktën 15 i kushtohen fund e krye, Edi Ramës, ish-oficerit të policisë sekrete, bashkëpunëtorit të SHISH, Agron Nezaj, këshilltarit në hije të Edi Ramës, Dorian Duçkës.
Edi Rama është sjellë në mënyrën më të pabesë, më jomiqësore ndaj partnerit tonë kryesor strategjik.
Duke keqshfrytëzuar, duke trajtuar si aset, në mënyrë të fshehtë një njeri që nuk meritonte kurrë atë post që kishte.
Charles McGonigal ka dy akuza kryesore: njëra është ky, i ngarkuar për të mbikëqyrur Oleg Vladimirovië Deripaskën, një njeri nga më të afërmit e Putinit, në fakt u shndërrua në aset të tij.
Ajo që është akti më i rëndë, një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, përdor mjete të paligjshme për të korruptuar këtë zyrtar.
Mafia qeveritare shqiptare është mafia më e rrezikshme e Europës dhe planetit. Shqipëria me dy mafiozë, Agron Nezën dhe Dorian Duçkën, arrin të fusë në rrjetë një njeri të brishtë nga morali dhe çdo gjë.
Në vend që të informonin menjëherë vendin partner, këta e shfrytëzuan dobësitë e tij dhe e angazhuan në një luftë politike të paimagjinueshme.
E paguan atë për veprimtari antikushtetuese në SHBA. E paguan atë për përdorimin e institucionit themelor të sigurisë së SHBA, të brendshëm, për qëllime politike.
E paguan që të përdorë FBI si një agjenci private.
Sipas tij, Edi Rama është bashkautor në këtë krim të shëmtuar, duke nënvizuar se McGonigal ka bërë gjashtë udhëtime në Shqipëri dhe se ka bërë takime jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me Ardi Veliun, me kupolën e policisë, etj.
Berisha shtoi se thuhet se të gjitha i ka bërë me pagesë, me faturë dhe që të gjitha udhëtime të fshehta.
Që të gjitha pa deklaruar oficerin e sigurimit që e shoqëronte edhe deri në tualet, Agron Nezën. Askund nuk e tregonte. Merrte 225 mijë dollarë prej tij, por krijonte edhe ndërmarrje bashkë me të, që të zhvaste edhe 500 mijë dollarë në Bosnje për takime në misionin e SHBA në OKB.
Rama me Nezën dhe Duçkën bënë gjithçka që t’i japin mundësi këtij njeriu, që të shkelmojë rregullat dhe kodin e institucionit të tij, institucion me rëndësi themelore jo vetëm për SHBA, por edhe për mbarë vendet e NATO-s dhe vendet e lira.
Të vijmë pak te Oleg Deripaska, i cili duket se e ka aset McGonigal, se kanë larë paratë së bashku. Por ky na del në Shqipëri investitor strategjik, ndërtues hidrocentralesh, pronar licencash hidrocentralesh.
Mos të harrojmë se është një nga njerëzit më të afërt të Putinit. Me të drejtë shtrohet pyetja, si ka mundësi që përdoren paratë për të lobuar kundër opozitës?
Shqiptarët mësuan, e kam deklaruar shumë herë, se është përdorur korrupsioni ndërkombëtar për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri.
Dje, sot dhe gjithnjë do them se Edi Rama në këtë aferë është sjellë absolutisht si agjent i Putinit. Se përfituesi më i madh nga kjo aferë është Rusia.
Pse them se është sjellë si agjent influent? Agjenti influent është person që ka një status, në përkufizimin e fjalorëve politikë, dhe e përdor pozicionin e tij për të influencuar publikun në qëndrime, drejtime dhe politika të caktuar siç i intereson një fuqie tjetër.
Agjentët influentë janë tre kategori. Agjenti që ka një status dhe ka firmosur dhe atij i vijnë udhëzimet përmes agjentit tjetër.
Nuk e di, megjithëse ka shumë gjëra të errëta, qoftë në trashëgimi familjare, qoftë në drurin familjar, nuk e di. Kategoria e dytë e agjentit influent janë ata që veprojnë me ndërgjegje, pa firmë dhe janë njëlloj me të parët.
U them atyre që reaguan se do gjeni prej tyre që kanë shkuar edhe në gijotinë për veprimin e tyre pa firmë, por kanë mbrojtur edhe njëlloj sikur të ishin nazistë apo stalinistë, kauzat e gabuara.
Këta quhen agjentë influentë. Kategoria e tretë e agjentëve influentë janë idiotët e dobishëm. Idioti i dobishëm është spontan, është sporadik.
Bën deklarata dhe shfrytëzohet deklarata e tij dhe pastaj është një copë asgjë. Të më thotë kush se a ka deklaratë më të dobishme për Putinin se deklarata e Edi Ramës: mos i bini në qafë Serbisë, për të respektuar sanksionet?
Me fjalë të tjera, lëreni të mbetet prapavijë e Rusisë. Është e qartë si drita e diellit se kujt i intereson kjo deklaratë. Asnjë lider evropian, përveç tij nuk e bën.
Këtu Deripaska është strategjik. Së dyti, kujt i intereson deklarata e Edi Rama në Davos se e ndaluat mallin e pistë rus, dhe morën nga të tjerët, më keq se rusët.
Po kush është sot më keq se rusët, që agreson dhe bën kasaphanë në një popull? Kujt i intereson kjo? Pse, nuk e di Europa?
Në vend të duartrokitet Gjermania, që e zeroi importin rus, Edi Rama u thotë se e latë mallin e pistë, për të marrë mall më të pistë.
A nuk është kjo një shprehje me kuptim politik totalisht në mbrojtje të Putinit.



