Rudina Thanasi, dermatologe, thotë se pas pandemisë Covid, ka pasur një bum për procedurat e mirëmbajtjes së përmirësimit të pamjes së jashtme. Në studion e MCN Informacion, Thanasi tha se para se të shkohet te ndërhyrjet, e rëndësishme është që të tregohet kujdes që nga mosha 25 vjeç.

Por luftën e bëri Skënderbeu dhe jo shpata. Ndaj duhet ta kemi parasysh mirëmbajtjen. Procesi i plakjes është individual. Jeta është e ndryshme për të tërë. Unë rekomandoj që pas moshës 25 vjeç, procedura të thjeshta dhe konsulta me mjekët dermatologë duhet të jenë të zakonshme. Nuk ka një limit kohe për përkujdesjen për vete. Por këto procedurat për rrudhat dhe acidin hialuronik duhen pas moshës 25 vjeç.

Thanasi tha se ndërhyrjet më të mira janë ato që nuk largohen shumë nga natyralja.

Bukuria është ajo që vjen nga brenda. Po e bukur është ajo që është sa më afër natyrales. Janë shumë gjëra që mund të bëhen. Jam dakord me sportin, me një jetë të shëndetshme. Prej 30 vitesh, tendenca është për ndërhyrje sa më pak invazive. Personi duhet t’u duket i njëjti atyre që e kanë takuar para një jave.

Ne e dallojmë gjithmonë një individ që ka bërë një ndërhyrje. Por një procedurë e mirë është ajo që është e padukshme. Botoksi, i përdorur në sasinë e duhur, te muskuli i duhur, atëherë krijon bioristrukturim.

Ajo theksoi se të gjithë personat që zgjedhin të trajtojnë problematika të karakterist estetik duhet t’i drejtohen një profesionisti.

Duhet të sigurohesh që ai që të trajton është doktor. Përvoja është e rëndësishme. Një pacient i kënaqur të sjell shumë të tjerë. Cilësia e materialeve duhet të jetë e padiskutueshme. Mjekësia estetike është e vetmja kur pacienti është i shëndetshëm. Është mjekësi e panevojshme, le të themi në ndryshim nga kirurgjia e kancerit apo ortopedia.

Procedurat e mjekësisë estetike janë sipas mjekes Thanasi të kushtueshme, por më ekonomike në raport me kostot jashtë Shqipërisë.

Shumë procedura të dermatologjisë janë për mjekësinë estetike. Çmimet nuk janë të lira për standardet në Shqipëri. P.sh. le të marrim peeling, që jashtë shkon deri në 8 mijë euro. Pacientët vijnë te unë për rindërtimin e kualitetit të lëkurës. Pas Covidit ka pasur një boom të jashtëzakonshëm për procedurat.