
Avokati Redon Meksi foli sot nga studio e lajmeve të MCN TV për arsyet e përjashtimit nga gara të ish-kreut të PD në Kukës, Ibsen Elezi.
Meksi tha se rrëzimi nga gjykata i kërkesës për pezullimin e zgjedhjeve të PD është i pabazuar në ligj. Duke u bazuar në statutin e 2018-s, parashikohet që kandidatët të plotësojnë disa kritere si kohëzgjatja në PD, postet që ka mbajtur etj., kushte të cilat Elezi i plotëson.
Intervista e plotë:
Zoti Meksi, ta nisim nga fillimi. Mbi çfarë argumenti u përjashtua zoti Elezi nga gara për kryetar dhe në ç’pikë të statutit është e bazuar?
Meksi: Nëse marrim të mirëqenë statutin e 2018-ës, i cili është i paregjistruar dhe nuk ka efekte ligjore sepse efektet fitohen pas regjistrimit në gjykatë. Ligji kërkon regjistrim në gjykatë pasi gjykata duhet të kontrollojë a është në përputhje me parimet e demokracisë. Në Kushtetutën e Shqipërisë është parashikuar që partitë që lejohen janë vetëm ata që janë demokratike, partitë e tjera totalitare, të dhunshme janë të ndaluara me ligj dhe antikushtetuese. Nëse llogarisim statutin e 2018-ës si të regjistruar dhe në statut parashikohet që kandidatët duhet të plotësojnë disa kritere si kohëzgjatja në PD, postet që ka mbajtur etj. Të gjitha këto kritere janë të plotësuara nga Elezi pasi ka qenë kryetar dege. Arsyeja se përse u përjashtua nuk jepet, nuk kemi asnjë vendim të përjashtimit. Kemi vetëm një kthim përgjigje nga Gazmend Bardhi që thotë ti nuk je përjashtuar nga gara por thjeshtë nuk je miratuar. Që do të thotë se 23 persona nga kryesia kanë votuar kundër. Por nëse hapim statutin e 2018-ës edhe pse që zgjedhjet të quhen të ligjshme sot duhet të vlejë ai i 2005-ës ose të regjistrohet statute i 2018-ës. Edhe nëse do ishte i regjistruar kryesia nuk e ka kompetencën për të vendosur për kandidatët për kryetar partie, kryesia vendos për kandidatët për kryetar dege, për kandidatët për deputetë dhe kandidatët për kryetar bashkie. Vetë kryesia ka nxjerrë një vendim për mënyrën se si do të bëhen zgjedhjet, në nenin 51 pika 3 thuhet që kryetari i partisë zgjidhet me rregullin një anëtar një votë dhe rregullat e procesit parashikohen tek rregullorja e brendshme e PD. Ka tre vjet që është votuar statuti për rregullore të brendshme dhe Akoma nuk është miratuar. PD funksionon sot pa një rregullore. Përveç kësaj mungon dhe komisioni i apelimit, gjykata e brendshme e PD, kjo gjykatë sot funksionon vetëm me një anëtar që është kryetari, Ristani i cili ka tre vite që bën kërkesa për plotësimin e katër anëtarëve të tjerë dhe nuk janë plotësuar akoma. Jemi në kushtet kur PD funksionon pa një rregullore dhe pa një gjykatë që janë institucionet kryesore për mbarëvajtjen e punëve të brendshme. Kryesia mori një vendim më datë 16 për hapjen e zgjedhjeve vendim që ende nuk e disponoj sepse nuk i është dorëzuar Elezit edhe pas kërkesave të njëpasnjëshme për të marrë edhe vendimet, nuk është kthyer asnjëherë asnjë përgjigje. Ky vendim është i paligjshëm edhe me statutin e sotëm sepse duhet të ishte rregullorja që duhet të rregullonte marrëdhënien se si zgjidhet kryetari. 23 votat kundër si u bënë? Kush ishte arsyeja e votave kundër? Ka disa vendime të Strasburgut, Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese për pjesën e regjistrimit në gjykatë që thonë që zgjedhjet dhe përjashtimi nga gara e kandidatëve duhet të jenë sesbën të motivuara, të arsyetuara dhe të ligjshme. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Kërkesa e sotme është depozituar para një jave ishte për sigurimin e padisë që do të thotë se nuk ka filluar Akoma gjyqi në themel. Në objekt të kërkesës ne kishim realizimin e zgjedhjeve sipas statutit të regjistruar, nuk i kishim vënë datë statutit. Kjo për ti dhënë një zgjedhje PD-së që të mos kishte probleme në vonesat e veta për zgjedhjet sepse pretendonin se si mund të rrimë ne pa zgjedhje, të shkonin të regjistronin statutin, të bënin rregulloren, të plotësonin komisionin e apelimit dhe të kryheshin zgjedhjet sipas procesit. Sot gjykata vendosi.
Çfarë ndodh më pas, zoti Elezi tha që do vijojë me padinë në gjykatë?
Meksi: Tani fillon gjykimi. Efektet do të jenë që këto zgjedhje të shpallen të paligjshme dhe të kthehemi tek statute i fundit ose ai që do të regjistrojnë dhe të bëhen zgjedhjet nga e para. Gjyqtari ishte shumë i qartë që ne kishim të drejtë. Kërkesat tona janë të bazuara në ligj, të sakta dhe besoj se do të vazhdojmë, nuk do dorëzohemi.
Një ditë më parë, zoti Berisha deklaroi se një kandidim i mundshëm i tij për kryetar është e drejtë kushtetuese. Atëherë, pse nuk funksionuan mbi këtë parim edhe zgjedhjet në Partinë Demokratike?
Meksi: Të drejtat kushtetuese në Shqipëri disa personave u jepen të tjerëve jo. Berishës i jepen të drejta të tjerëve jo, kjo është Shqipëria nuk kemi çfarë të bëjmë.



