Nga 15 qershori rinis funksionimi i transportit publik. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Një lajm i mirë për qytetarët dhe sektorin e transportit publik.15 QERSHOR rifillon shërbimi i transport publik, duke iu përshtatur rregullave të reja, sipas protokollit të miratuar nga ISHP-ja”, thuhet në njoftimin e MIE.
Në bazë të protokollit të ISHP-së, mjetet e transportit publik do të funksionojnë me 70% të kapacitetit.
Pasagjerët duhet të jenë të pajisur me maska, ndërsa mbetet e domosdoshme ruajtja e distancës mes pasagjerëve.
Vendimi i MIE vjen një ditë para protestës së paralajmëruar nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas.
Sipas kreut të kësaj të fundit, nuk ka ende udhëzime lidhur me mënyrën si do të procedohet.
“Bazuar në lajmin e marrë nga Instagram i Ministres, informoj të gjithë miqtë e mi gazetarë që ky lajm nuk është marrë ende zyrtarisht. As Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe as operatorët nuk kanë ende një njoftim zyrtar dhe më e rëndësishmja, instruksione se si do të funksionoi shërbimi”, shprehet në llogarinë e tij në Facebook, Rixhin Qosja, kreu i shoqatës.
Të shtunën, përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit kanë njoftuar se ditën e hënën në orën 10:00 do të kërkojnë përpara MIE plotësimin e kërkesave dhe hapjen e transportit.
Në një prononcim për TvT, kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas, Eneo Sulemjani, tha se pavarësisht njoftimit të ministrisë, protesta do të zhvillohet.
Kërkesat:
1.Heqja e akcizës për blerjen e naftës nga shoqëritë e transportit publik.
2.Njohjen e shpenzimit të zbritshëm 100%, për naftën pasi është lënda jonë e parë.
3.Subvencionimin me 50% të ngarkesës direkt në llogaritë e shoqërive të transportit publik duke marrë parasysh lejen e udhëtimit për të kuptuar sa kapacitet ka mjeti.
4.Zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e tij në nivelet e sektorit të turizmit 6% pasi edhe transporti është një nga hallkat e tij.
5.Faljen e taksave vendore të mjeteve për vitin 2020
6.Të merren masa urgjente nga organet e Ministrisë së Punëve te Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për luftimin e transportit të udhëtarëve me mjete informale i cili ka lulëzuar gjatë pas pandemisë.



