Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti në një lidhje skype me MCN Live ka komentuar lidhur me situatën e rënduar nga virozat që ka prekur vendin tonë këtë periudhë.
Ai tha se jemi duke u përballur me të njëjtën situatë ashtu sikurse dhe Europa, ndërsa theksoi se Covid nuk është virus sezonal dhe se nuk kemi të bëjmë me një situatë alarmante. Sipas tij virusi H3N2 duket se është më i përhapuri në këto momente.
Po përballemi me të njëjtën situatë si gjithë Evropa. Në këtë drejtim nuk kemi të dhëna në kohë transparente dhe në kohën e duhur por jemi në dimër dhe do qarkullojnë të gjitha virozat. Gripi është prezentë në këtë stinë, fatmirësisht format e rënda janë të rralla. Sa i përket covid nuk është tipikisht sezonal por ka një preferencë më të madhe për stinën e ftohtë, kjo dhe për faktin se kemi tendencën që të qëndrojmë brenda, ajrosim më pak dhe duke ndenjur më pranë njëri tjetrit ja ngjisim më lehtë. Nuk kemi një situatë alarmante por presim që përgjatë janarit të kemi shtim të rasteve dhe pastaj në shkurt bie tendenca zbritëse për shkak të motit. Nuk kemi variante të gripit më të rrezikshme dhe të çuditshme, kemi njëlloj gripi një familje e madhe e virusit por situata nuk është alarmante edhe pse kemi dyndje në spitale, por nëse kemi 400 raste për konsultë ato nuk janë shtrime.
Më tej ai sqaroi se gripi është një virozë që ne e njohim shumë mirë, gripi e rrit temperaturën e trupit do duhet të ndërhyjmë për ta ulur dhe kur shkon mbi 38 duhet të ndërhyjmë me paracetamol apo ibuprofen, ndërsa theksoi se antibiotiku nuk ka sens.
Frika është e madhe por ka gjëra që në kontakt me virusin kemi qenë gjithmonë, dhe ajom që ndodh në Tiranë është fakti se ka një mbipërdorim të qendrave spitalore si dhe shumë qytetarë që marrin antibiotik pa kriter. Ekziston mundësia e infektimit nga dy viruse të ndryshme, por fatmirësisht nuk jemi në situatë alarmante. Tek ne kemi një situatë në rritje të gripit, por covid nuk është se na ka lëshuar ndonjëherë dhe vala e fundit ka qenë në gusht- shtator, do ketë patjetër tani në janar, por ato skenat me ato raste të rënda nëpër shpi me oksigjen patjetër që nuk jemi në një situatë të tillë. Patjetër që këto viruse do qarkullojnë, por nuk flasim dot për epidemi të rëndë.
I pyetur nëse na mbron vaksina e gripit, Alimehmeti u shpreh se shumë pak sepse gjithsej gjithsej janë prokuruar rreth 270 mijë doza vaksinash nga ministria e shëndetësisë nga të cilat afro 75-80% mund të jenë kryer.
Duke llogaritur se këtu duhet të ishin e gjithë mosha e vjetër, personeli shëndetësor, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë e kuptoni se 270 mijë nuk arrin. Plus kësaj është dhe koha kur kanë ardhur, sepse që të kryesh fushatë vaksinimi e suksesshme duhet të ishte mbyllur vaksinimi në javën e dytë të tetorit ndërsa ne jemi në janar, pra ky vaksinim ka me ritme shumë të ulëta. Ata që e kanë bërë patjetër që kanë një formë ndihme, ul riskun për forma të rënda të gripit. Unë këshilloj që të mos i drejtohemi spitaleve kot sepse do dalim te ajo thënia që shkon në spital me një sëmundje dhe del me dy. Ka raste që duhet të shkojmë patjetër, se virusin se merr vetëm në spitale, ne jetojmë në komunitete dhe janë viruse që qarkullojnë gjerësisht aty. Duhet të kishim disponibël testet, ne këtu vazhdojmë të mos i kemi.



