Kryeministri Rama ka zgjedhur Universitetin Bujqësor për të uruar studentët për nisjen e viti të ri akademik. Para studentëve të këtij universiteti, kreu i qeverisë tha se ky institucion i arsimit të lartë do të vijojë të transformohet. Rama tha se pavarësisht punës së bërë deri tani, pastrimi i territorit të universitetit do të vijojë. “Nuk mund të ketë më shumë kafene se salla leksionesh”, theksoi Rama.
“Ne duam që në këtë universitet të vijojmë t’i hapim rrugë një procesi transformimi. Duam ta shembim murin që e ndan universitetin nga jeta reale. Ne duam që të përfitojmë reciprokisht në një proces ndërveprimi mes qeverisë dhe universitetit. Ne vizituam kantierin e hapur në territorin e universitetit. Ka ende shumë për të bërë në këtë aspekt. Ne do të krijojmë mundësi të reja. Territori i këtij universiteti duhet të jetë modeli më i shkëlqyer. Disa shpronësime janë të domosdoshme dhe ne do t’i bëjmë menjëherë. Këtu nuk mund të ketë më shumë makina se njerëz. Nuk mund të ketë më shumë kafene se aula dhe klasa. Kemi shembur një pjesë të konsiderueshme, por ka ende disa struktura”, tha ai.



