
Nesër pritet të vijë për vizitë në Shqipëri presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Presidenti turk, ndër të tjera, do të marrë pjesë edhe në rihapjen simbolike zyrtare të xhamisë së Ethem Beut, pas restaurimit që iu bë asaj nga agjencia e shtetit turk “TIKA”.
Pas një periudhe dy vjeçare pune, më në fund, kjo xhami iu dorëzua administrimit të KMSH-së zyrtare gyleniste. Tashmë presidenti turk do të vizitojë këtë xhami, por nuk dihet nëse pjesë e protokollit të pritjes, do të jenë edhe përfaqësuesit zyrtarë gylenistë të KMSH-së.
Hoxhë Justinian Topulli, ish-kryetar i Lidhjes së Hoxhallarëve, tha në një komunikim për edicionin e lajmeve në MCN TV, se ata kanë reaguar në adresë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke e akuzuar për uzurpim nga strukturat gyleniste.
“Për ne si myslimanë shqiptarë, nisur nga perspektiva jonë lokale, largimi i kryesisë gyleniste nga uzurpimi i KMSH-së e merr pikënisjen, edhe në kohë, pikësëpari nga ilegjitimiteti dhe mungesa e dinjitetit fetar dhe moral që ata kanë. Kjo ka qenë që herët kauza jonë dhe sigurisht, aktualisht edhe më e ndjeshme se çdo kauzë tjetër. Por kjo kauzë legjitime myslimanë shqiptare dhe patriotike njëkohësisht, sigurisht që gjen pika takimi edhe me përpjekjet e shtetit turk për të luftuar një organizatë ekstra territoriale okulte, siç është kjo që ka ngritur Gyleni. Kështu që kërkesa e shtetit turk ndaj shtetit shqiptar dhe opinionit publik shqiptar, duhet të marrë parasysh edhe këtë kauzë dhe ndjeshmëri shqiptare. Kjo edhe për arsyen e qartë se kërkesa për largimin e gylenistëve nga ana e tyre, duhet të përçojë mesazhin jo të kërkesës për një KMSH vasale ndaj shtetit turk, por për një partner të pavarur dinjitar, që ruan marrëdhënie të mira me Turqinë dhe çdo vend tjetër mysliman.
Për hoxhë Topulllin, lëvizja gyleniste rrezikon të kthehet në një instrument më shumë i Turqisë brenda institucioneve shqiptare.
Për të, myslimanët nuk kërkojnë të jenë vasal as të Turqisë, e as të ndonjë shteti tjetër, pavarësisht ndihmës ose dhuratave që marrin.
Sipas tij nevojitet një KMSH partnere me Turqinë, dhe jo vasale e saj.
“Duke shfrytëzuar ardhjen e presidenti Ergodan, e kam shfrytëzuar këtë si moment, për ta rihapur edhe njëherë këtë si debat mes besimtarëve mysliman, sepse në fakt ky është shqetësimi jonë më i madh.
Kërkojmë gjithpërfshirjen, nuk kërkojmë të jemi vasal as të Turqisë, as të Arabisë, dhe të asnjë shteti tjetër, kërkojmë që përfaqësuesit apo udhëheqësit tanë apo myftitë, të jemi ne ata që i zgjedhim. Dhe çdo aktor që na ndihmon dhe na përkrah neve në këtë kauzë të drejtë morale, etike dhe fetare, është i mirëseardhur, Ama, nëse ata kërkojnë të fusin hundët dhe kërkojmë të bëhen vasal i shtetit, ndërkohë që shteti është i ndarë nga institucione fetare, apo një ambasadë e huaj, kushdo qoftë natyrisht ne nuk e pranojmë pavarësisht miqësisë, apo dhuratës apo marrëdhënies së mirë që mund të kemi me shtetin turk, apo me cilido që të jetë.



