Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkon që të bëhet transparencë e plotë se çfarë ka ndodhur realisht, lidhur me masat dhe planin e rivendosjes në punë si dhe garanci për sigurinë e sistemeve, pas sulmeve kibernetike me të cilat është përballur vendi.
Prokuroria duhet të bëjë hetim serioz për menaxhimin e sigurisë së të dhënave dhe veprimet dhe mosveprimet e qeverisë dhe të çdo institucioni që kanë sjellë këtë situatë të papranueshme të sigurisë.
Kështu deklaroi Meta në një komunikim për mediat ditën e sotme, ndërsa lidhur me urdhrin e Prokurorisë për mos publikimin e të dhënave të nxjerra nga hakerat, deklaroi se problemi nuk është media, por qeveria, ku përmendi se iu dhanë të dhënat patronazhistëve.
Iu dhanë të dhënat patronazhistëve për t’i bërë presion qytetarëve të Shqipërisë. Nëse prokuroria do të hetonte, nuk do të ishim më këtë situatë. Shkelin ligjin, shkelin të drejtat e qytetareve se kanë kapur Prokurorinë për fyti.
Nëse Prokuroria do kishte shkuar te qeveria, AKSHI dhe gjithë personat që paguhen, për të mbrojtur të dhënat, jam i sigurt se nuk do të kishim 15 muaj sulme të vazhdueshme.
Por Prokuroria vajti te mediat, situata është kjo, këta njerëz në pushtetin e Edi Ramës, bëjnë çdo gjë shkelin ligje, se kanë marrë garanci, se ai e ka kapur për fyti edhe Prokurorinë.
Kjo është masë frikësuese që cenon lirinë e medias, por nuk është se zgjidh gjë. Se mbrëmë edhe ‘The Telgraph’ i kishte nxjerrë. Çfarë do i bësh medias ndërkombëtare?
Këtu i gjithë shteti i Edi Ramës ka dalë lakuriq. Hakerimi i parë është bërë me miratimin e Edi Ramës.
Një njeri që e ka kthyer Shqipërinë në han pa porta dhe e mbyti Shqipërinë me banane, Shqipëria nuk kishte si të ishte kurrsesi në këtë situatë.
Akti më minimal i tij, duhet të ishte dorëheqja, se ka gënjyer, ka mashtruar dhe është përgjegjës për rrëzimin e sekreteve të shtetit.
Lidhur me cenimin e sigurisë kombëtare nuk ka fëmijë që nuk e kupton që është goditur dhe kushtet në të cilat ndodheni.



