
Kryetari i PBNDJ-së Vangjel Dule ka bërë sërish kritika për ligjin e miratuar dy muaj me parë sa i takon mbrojtjes së të drejtave të minoritetit. Në tryezën e rrumbullakët me rastin e ditës "Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut", Dule tha se Ligji për mbrojtjen e minoriteteve nuk i afrohet as atij të Malit të Zi, Kroacisë apo Suedisë sikundër është pretenduar më parë. Duke vënë theksin mbi rëndësinë e ligjit, në kushtet kur Shqipëria pret çeljen e negociatave, Dule kritikon procesin e hartimit të ligjit. “E çuditshme është se përse u mor Ministria e Jashtme me këtë ligj dhe jo Ministria e Drejtësisë. Ministria e Jashtme nuk mori parasysh asnjë amendament nga 9 të tilla që paraqita në parlament. Ne kemi një avantazh përpara që janë negociatat. Procesi i negociatave për në BE do ta detyrojë qeverinë që t’i rikthehet ligjit të minoriteteve”- paralajmëron Dule gjatë tryezës.



