
Kreu i Vetëvendosjes në Kosovë, Visar Ymeri, ka lënë të kuptohet se nëse klima e tensioneve vijon brenda partisë së tij, ajo mund të ndahet. Në një intervistë në “Rubikon”, Ymeri ka folur rreth zhvillimeve që pasuan skandalin e brendshëm në partinë e tij.
“Unë nuk dua të spekuloj se cili do të jetë fundi. Si kryetar i VV, dhe si aktivist, kryekëput jam i angazhuar në gjetjen e rrugës përpara. Por, nuk mund të garantoj se do të jem, ose do të jemi të suksesshëm”, ka thënë ai.
Sipas Ymerit, mundësia e ndarjes së partisë është reale.
“Ti qëndron në një subjekt përderisa pajtohesh me konceptin dhe programin. Nuk mund të qëndrosh si trup i huaj ose mish i egër brenda një subjekti. Konsideroj se kjo do të mund ta prodhonte një rezultat të tillë. Nuk mund ta përjashtoj (këtë rezultat), sepse një problem i tillë ose do të zgjidhet, ose do ta ketë një rezultat të tillë, i cili do të jetë largimi i njerëzve të caktuar nga VV, dhe dobësimi i VV”, ka thënë Ymeri.
Ndërkohë, menjëherë pas intervistës së Ymerit, ka reaguar ashpër deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu. Ai është shprehur se qëndrimi i Ymerit nuk reflekton qëndrimin e shumicës.
“Definicioni i demokracisë së brendshme aplikohet nëpërmjet mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, zbatimit të frymës dhe gërmës së statutit edhe përmes zgjedhjeve të brendshme. Ku çdokush ka të drejtë të kandidojë për Kryetar të Lëvizjes, përfshirë dhe Albin Kurtin. Antidemokratike madje në kundërshtim të frymës e gërmës e statutit është që dikush brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! të vendosë kushte, e madje të shantazhojë me tendencën për të eliminuar dikë nga kandidimi për kryetar. Kjo jo vetëm që është e papranueshme por është e dënueshme”, ka thënë ai.



