Raportimet e fundit mediatike rreth një ultimatumi të pretenduar të kryeministrit ndaj kryebashkiakut të Tiranës kanë sjellë reagime të shumta në radhët e analistëve dhe akademikëve.
Duke komentuar letrën ku Veliaj pretendon se Gogu i ka përcjellë disa kërkesa të kryeministrit Rama, të lidhura me protestat, mandatin e kryebashkiakut dhe marrëdhënien e tij me ish-deputetin Plarent Ndreca, akademiku Artan Fuga për MCN Live tha se, ndonëse skenari i dërgimit të Ministrit të Drejtësisë në institucionet e vuajtjes së dënimit duket i pabesueshëm nga pikëpamja logjike, situata brenda institucionit më të madh vendor në vend reflekton një krizë të thellë administrative dhe politike.
Sipas tij, deklaratat e përhapura mbështeten ende në kuadrin e aludimeve të paverifikuara, pasi komunikimi mes krerëve të shtetit mund të realizohej përmes rrugëve shumë më diskrete.
Nuancat e fjalëve dhe mënyra si thuhen ndryshojnë gjithë kontekstin, por mendoj se jemi para një informacioni të paverifikuar të mbështetur në fjalë. Sigurisht spekulimet mund të bëhen. Nga pikëpamja e asaj që kryeministri Rama të ketë dërguar ministrin e vet të Drejtësisë në një zonë që i përket një institucioni të vuajtjes së dënimit për t'i thënë këto fjalë, mua më duket e pabesueshme, por nga fakti se di, nga logjika e dobisë për ta çuar mesazhin përmes ministrit më duket se do kishte mjete dhe rrugë shumë më inteligjente për ta bërë me 1 mijë kanale të tjera. Por dua të them se në Bashkinë e Tiranës ka një element që është jo normal dhe ka një element që tregon një tension të madh politik mes Veliajt dhe kryeministrit dhe ky problem i madh duket se Bashkia e Tiranës ndërron nënkryetarët herë pas here, s'ka stabilitet, treguesit e administrimit të qytetit janë në rënie, dhe nga ana tjetër tregon tension të madh, një situatë të pakëndshme dhe për anëtarët e këshillit bashkiak të PS. Ndërkohë bindja ime është se dërgimi apo transferimi i Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në Fier është një masë përkeqësuese e gjendjes së tij dhe përderisa vjen pas disa deklaratave politike të tij, të lë të mendosh se mes tyre ka një lidhje shkak-pasojë.



