
Blerta Kadzadej, konsulle e Shqipërisë në Stamboll, e konsideroi tërmetin që goditi Turqinë edhe Sirinë një tragjedi të përmasave të pamendueshme.
Duke folur në MCN Live ajo bëri me dije fatmirësisht deri më tani nuk kemi asnjë qytetar shqiptar, apo me prejardhje shqiptare, të prekur nga tërmeti.
Një bilanc që sa vjen edhe bëhet më tragjik. Janë mbi 9 mijë staf të emergjencave civile të përfshirë në një operacion kërkim-shpëtimi në luftë me kohën, në luftë me gjithë këtë situatë të paprecedentë. Një tërmet i përmasave të pamendueshme, shkatërrimeve të pamendueshme. Fatmirësisht për qytetarët tanë s’kemi të dhëna, dhe asnjë telefonatë që të na bëjë me dije për qytetarë shqiptarë që mund të jenë ndikuar nga kjo fatkeqësi e madhe natyrore. As me prejardhje shqiptare. Ambasada në Ankara dhe Konsullata e Përgjithshme në Stamboll mbeten në dispozicion të qytetarëve shqiptarë për çfarëdolloj informacioni dhe ndihme. Është një tragjedi e përmasave gati-gati të pamendueshme. Një tërmet i ndodhur në mes të natës në orën 04:00. Këto situata janë të paprecedenta dhe të papritura. Është një ogur i mirë që deri më tani s’kemi telefonata dhe të dhëna për qytetarë shqiptarë, apo me prejardhje shqiptare të përfshirë në këtë tragjedi. Mbase është shumë shpejt për të pasur të dhëna të tilla, pasi është një luftë me kohën për të shpëtuar jetë njerëzish. Besoj që të gjithë vendet janë shprehur të gatshme për t’i dhënë ndihmë Turqisë në këto orë të vështira. Janë vërtet orë shumë të vështira. Një tërmet që ka prekur jo pak por 10 provinca të Turqisë.
Telefonatat e para kanë qenë nga familjarët në Shqipëri, pasi në Stamboll tërmeti nuk u ndje, që pyesnin se çfarë po ndodh. Ne e përjetuam në vitin 2019 dhe e dimë se çfarë do të thotë që të zgjohesh në mes të natës me tmerrin e lajmit që një tërmet i përmasave të tilla ka ndodhur. Telefonatat kanë qenë nga kolegë, nga strukturat e MEPJ. Populli jonë, qeveria jonë, ne jemi me zemër dhe me mendje, me lutjet tona, pranë popullit mik turk. Është një tragjedi, vërtet në përmasat e një tragjedie”.



