
Në Çukë të Sarandës, argjinatura e lumit Bistricë është çarë, duke shkaktuar përmbytje të banesave dhe qindra hektarëve tokë bujqësore.
Katër barinj kanë mbetur të izoluar në një stallë me shumë krerë dele, raporton për “MCN Live” korrespondentja nga Vlora, Ariola Hasanaj.
Çarja e argjinaturës ka sjellë vërshimin e ujërave në zona të gjera bujqësore, duke bërë të pamundur lëvizjen e barinjve dhe banorëve përreth. Niveli i ujit ka vazhduar të rritet, duke rrezikuar edhe banesa të tjera në zonë.
Situata është paraqitur problematike edhe në Shalës, ku lumi Pavlla ka dalë nga shtrati në zonën e urës së Vilës. Përmbytjet kanë sjellë vështirësi të konsiderueshme në qarkullim dhe rrezik për banesat dhe bizneset përgjatë lumit.
Dalja nga shtrati e lumit në këtë zonë ka shkaktuar izolimin e 6 fshatrave të njësisë administrative Markat. Banorët raportojnë se lëvizja është thuajse e pamundur, ndërsa strukturat e emergjencave po vlerësojnë dëmet dhe po punojnë për hapjen e rrugëve kryesore.
14 banesa të përmbytura në Vlorë dhe Fier
Ndërkohë, përmbytje janë regjistruar edhe në bashkitë e Vlorës dhe Fierit, ku 14 banesa janë dëmtuar nga uji, 10 banesa në njësinë administrative Novoselë dhe 4 banesa në njësinë Ferras.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi se janë evakuuar 14 familje, ndërsa niveli i lumit Vjosë ka kaluar mbi 8 metra, duke mbajtur situatën në një gjendje të vazhdueshme rreziku.
Sipas Çakos, prurjet e Vjosës kanë qenë në rënie në zonën Tepelenë–Memaliaj, por ulja e nivelit të ujit në Vlorë pasqyrohet vetëm pas disa orësh.
Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencave civile do të vijojnë të jenë në terren deri në normalizimin e plotë të situatës.



