
Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi në një lidhje skype ka folur me shifra sa i përket bilancit të këtij sezoni veror ku u shpreh se krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje me 30%.
Ai tha se sinjali që Shqipëria dha këtë vit është pozitiv, por që ne ende na duhet kohë që të mësohemi me këtë lloj industrie. Sipas tij, ne kemi një turizëm të zgjeruar spontanisht dhe se ajo që duhet të tentojmë është një turizëm elitar.
Turizmi në fakt ka një rritje prej gati 30% më shumë se viti që kaloi, kjo ndihmon Shqipërinë të kaloj këtë fazë, është një lëvizje që ka qenë në të gjithë Evropën jo vetëm tek ne. Në Shqipëri kjo ka ndodhur dhe për shkak të piarit që ka ndjekur qeveria dhe për të thënë të vërtetën i kanë dhënë një ndihmesë turizmit këtë vit. Sivjet ka qenë Kroacia në top listën, por sinjali që dha Shqipëria këtë vit ka qenë pozitiv. Për mua është një situatë që na gjen të papërgatitur ne na mungojnë kapacitetet njerëzore dhe akomoduese, dhe duhet të dimë se çfarë turizmi duhet të bëjmë dhe ky sezon i nxori në pah këto dhe mendoj se ajo që duhet të synojmë është drejt turizmit elitar.
Në vijim ai shtoi se ne duhet të punojmë se kush do jetë e ardhmja e turizmit në Shqipëri dhe këtë vit po punohet për strategjinë sepse turizmi bëhet me politikat që ndiqen nga të gjitha hallkat dhe jo me fjalime.
Duhet të mësohemi me këtë lloj strategji, ne na duhet kohë të mësohemi me këtë lloj industrie. Duhen disa politika të mirëmenduara. Kur ne vazhdojnë të na ikin njerëz atëherë duhet të ndjekim politika të tjera të tentojmë turizmin elitar, pra nuk është çështje e vetëm një viti por një industri që do vite të tëra për të shkuar aty ku duhet. Duhet të kuptojmë se 80% e atyre që lëvizin në Shqipëri vijnë nga pikat kufitare tokësore. 80% e të gjithë turistëve që vijnë në Shqipëri, janë me origjinë shqiptare janë turistë të ardhur nga Evropa, ky është kontingjenti jonë kryesore, 4% janë ato të tjerat. Ne duhet të rrisim standardet, cilësinë, paketat tona.



