Kryeministri Edi Rama foli sërish sot mbi hetimet e SPAK ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, duke theksuar se nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni me një akt-akuzë dhe me një të pandehur.
Rama tha se ka patur shantazh, dhe Veliaj është linçuar publikisht. Ai vuri në dukje se anti-korrupsioni i dalë nga shinat është më i rrezikshëm për shtetin se sa korrupsioni.
“Çfarë duhet të bëjmë ne? Të pranojmë që akoma të merren dëshmitë me orë të tëra, dhe në fund të japin 5 fletë aty të thonë firmosi! Këtë duhet të pranojmë ne?! Të thonë firmos pasi të indimidojnë dhe të tregojnë ku të punon babai, dhe të ndalojnë në rrugë me një fëmijë 3 vjeç duke e çuar në kopsht. Këto s’janë sulme, janë thirrje për standarde. Sepse i kemi parë këto në të kaluarën. Anti-korrupsioni kur del nga shinat mund të bëhet më i rrezikshëm se korrupsioni. Si merren sipërmarrësit dhe vihen në rresht, parakalojnë sikur janë kriminelë?! Si u merren njerëzve telefonat dhe u mbahen peng?! Madje bën edhe shantazhe, insinuata, për komunikime intime.
Nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni me një akt-akuzë dhe me një të pandehur. Gërmimet në jetën e kryebashkiakut dhe bashkëshortes le të vazhdojnë, por s’ke pse e merr në burg duke e lënë kryeqytetin pa kokë”.



