Gazetari Xhevair Zhabina i ftuar në MCN Live u shpreh se largimi i ish/zv kryeministrit Arben Ahmetaj nga Shqipëria disa ditë para se të lëshohej urdhër arresti për të tregon se ka rrjedhje informacioni nga SPAK. Sipas Zhabinës, Ahmetaj është vënë në dijeni më parë. Duke iu referuar akuzave të ngritura nga SPAK për çështjen e inceneratorëve Ahmetaj rrezikon deri në 15 vite burg. Lidhur me reagimet e Ahmetaj në rrjetet sociale, Zhabina tha se ai do të vazhdojë të reagojë dhe këtë gjë ai e ka lënë të kuptuar në cdo postim. “Policia bën kërkimet e veta për Ahmetajn dhe nëse nuk gjendet brenda Shqipërisë nxirret urdhër arresti ndërkombëtarë. Kjo është procedura dhe vendim i gjykatës ishte i pritshëm dhe nuk e kuptova pse kishte kaq vonesa sepse miratimi i parlamentit është dhënë të premten e kaluar. Zyrtarisht Ahmetaj është në kërkim, për akuzat e ngritura nga SPAK për çështjen e inceneratorëve. Me këto tre akuza ai rrezikon deri në 15 vite heqje lirie. Lidhur me vendimin mendoj që ka patur rrjedhje informacioni dhe ai u largua disa ditë para se të dilte vendimi. Fillimisht u diskutua se Ahmetaj ishte larguar drejt një vendi afër Shqipërisë, por Anglia mund të jetë një destinacion interesant për dikë që ka probleme me ligjin pasi drejtësia atje funksionon ndryshe nga Shqipëria. Por mund të jetë dhe në një vend të cilin Shqipëria ska marrëveshje ekstradimi, siç janë Emiratet e Bashkura Arabe. Përsa i përket reagimeve të tij në rrjetet sociale besoj që ai do ketë mundësi të reagojë sërish dhe nuk besoj t’ia bllokojë kush rrjetet sociale. Nuk kemi patur person tjetër që ka probleme me drejtësinë dhe të bëjë reagim në rrjetet sociale. Kjo tregon që Ahmetaj ka shumë për të thënë dhe në mesazhin e parë ai la të kuptohet që do vazhdojë. Në dosjen e SPAK thuhet se janë thirrur disa biznesmen, sigurisht që inceneratori i Tiranës ka filluar të preket dhe është ai i Tiranës ku janë përfshirë një sërë institucionesh. Mendoj që do të pyeten dhe zyrtarë të tjerë që kanë hedhur firmën. Ajo që është e rëndësishme është që SPAK ka filluar të hetojë inceneratorin e Tiranës.”, u shpreh Zhabina.



