Skelat e një pallati në ndërtim janë rrëzuar duke dëmtuar për pasojë dy kalimtarë teksa po ecnin në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Të dëmtuarit janë transportuar në spital ku ndodhen në kujdesin e mjekëve. Ndërkaq policia ka shoqëruar inxhinierin e pallatit dhe dy punëtorë.
Në njoftim thuhet:
Më datë 22.01.2024, rreth orës 10:10, në bulevardin “Gjergj Fishta”, janë rrëzuar skelat e një pallati në ndërtim e sipër, dhe si pasojë janë dëmtuar 2 shtetas (kalimtarë) H. L., rreth 70 vjeç, dhe I. Sh., rreth 45 vjeçe. Dy të dëmtuarit ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Në ambientet e Policisë janë shoqëruar inxhinieri i pallatit, shtetasi K. S., dhe punëtorët N. S., dhe A. P., për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.



