
Administrata Tatimore ka identifikuar individë të cilët mashtrojnë bizneset duke u paraqitur në subjekte tregtare dhe duke u prezantuar si punonjës të tatimeve ndonëse nuk janë pjesë e këtij institucioni.
Bujar Muço nga shoqata e biznesit të vogël duke folur në edicionin e lajmeve në MCN Tv tha se bizneset janë “të traumatizuara”.
Ai theksoi se kostot dhe taksat e papërballueshme i shtyjnë bizneset që t’u japin ryshfet në dorë tatimorëve, të vërtetë apo të rremë.
Muço thotë se gjobat variojnë nga 500 mijë lekë deri në 3 milionë të vjetra, ndërsa u kërkon bizneseve që t’i kërkojnë një tatimori urdhrin mbi kontrollin dhe dokumentin e identifikimit.
Fenomeni ekzistues, besoj se është një fenomen që është i shtrirë gjithandej. Të rreme apo të vërtetë, këta tatimor gjithmonë kanë qenë në presion ndaj bizneseve. Si të rremët, ashtu edhe të vërtetët, kështu janë sjellë me bizneset. Sot biznesi shqiptar, sidomos ai i vogël dhe i mesëm operon në kushte nga më minimalet, informaliteti është në kulmet e tij 38 për qind. Duke patur informalitet të lartë, gjithë këto struktura si formale apo informale, i shfrytëzojnë këto momente për t’u marr bizneseve ryshfet. Bizneset duke qenë të traumatizuara, duke qenë një pjesë e madhe në informalitet, besojnë se çdo njeri duke qenë i kollarisur, me kostum, me llafallogji i besojnë të gjitha.
Sa i takon gjobave, ai tregon se:
Për mos prerje kuponi gjoba minimale është 500 mijë lekë të vjetra. Ai e kërcënon gjoba është kaq, më jep 1/3 dhe e mbyllim. Nëse gjejnë një punonjës të pasiguruar gjoba varion nga 700 deri në 3 milionë të vjetra. Ai e kërcënon më jep gjysmën ose 60 për qind të vlerës dhe ta fal. Duke qenë gjobat kaq të larta dhe marramendëse… Ne u kemi dhënë disa forma si mund të kontrollohet”.
Muço dallon tre kategori të bizneseve informale, ndërsa jep një këshillë se si mund të dallohet tatimori i rregullt.
Një tatimor i rregullt duhet të pasqyrojë udhërin e punës, i lëshuar nga një drejtues Zyre Tatimore për të kontrolluar këtë biznes, duhet të merret dokumenti i identifikuar i punonjësit dhe kuptohet nëse tatimori është i vërtetë apo i rremë. Bizneset janë të traumatizuar. Informaliteti luftohet me vullnet! Janë tre kategori, bizneset që japin ryshfete në dorë tatimorëve të rremë apo jo të rremë, sepse kostot dhe taksat i kanë të papërballueshme. Kategoria tjetër është ajo që mbahet me hatër po nga këta institucione apo tatimor. Është një kontigjent që do përdoret për fushata elektorale. Kategoria e tretë janë njerëzit e afërt të institucioneve, që u premtojnë që për sa kohë të jemi ne s’ju prek njeri!”



