Shërbimet e sigurisë ukrainase (SBU) thonë se kanë parandaluar një plan të orkestruar nga FSB ruse për të rrëmbyer dhe vrarë Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të tjerë të lartë të Kievit dhe që përfshinte rekrutimin e atentatorëve nga radhët e ushtarëve të caktuar për të mbrojtur presidentin ukrainas.
Dy kolonelë të Shërbimit të Sigurisë Administrative të Ukrainës u arrestuan si të përfshirë raporton The Kyiv Independent, duke cituar vetë kreun e SBU, Vasyl Maliuk.
Plani, shkruan gazeta ukrainase, u mbikëqyr nga Maxim Mishustin, Dmitry Perlin dhe Alexey Kornev, drejtues të seksionit të pestë të shërbimit sekret rus.
Detyra e ushtarëve ukrainas që mund të rekrutoheshin ishte që të merrnin peng kreun e shtetit dhe më pas ta vrisnin.
“Plani nëse do të realizohej, duhet të ishte një dhuratë për presidentin Vladimir Putin me rastin e betimit të tij për mandatin e ri presidencial, por rezultoi të ishte një dështim i FSB-së”, thotë Maliuk.
Ndër objektivat e tjerë të planit, përveç Zelenskyt, ishte edhe kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HRU), Kyrylo Budanov.



