Lufta në Lindjen e Mesme/ Brahaj: Strategjia amerikane ka nisur prej 20 vitesh. Vojka: Nuk besohet se ka një strategji afatgjatë

Lufta në Lindjen e Mesme/ Brahaj: Strategjia amerikane ka nisur prej 20 vitesh. Vojka: Nuk besohet se ka një strategji afatgjatë

Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit kanë goditur qindra objektiva ushtarake dhe infrastrukturore, ndërsa Irani ka reaguar me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane dhe aleatëve në rajon.

Analistët e ftuar në “MCN Informacion”, Sebastian Zonja, Sokol Brahaj, gazetar në Turqi, dhe Dorand Vojka, analist në SHBA, folën për strategjitë e SHBA-së në këtë konflikt dhe se sa i pashmangshëm ka qenë ky përshkallëzim.

 

Zonja:
Janë mbi 2500 objektiva të goditura deri më tani. SHBA ka goditur objektiva ushtarake, ndërsa izraelitët ato politike. Është një lloj ndarje rolesh mes Izraelit dhe SHBA-së. Izraeli ka fundosur gjithashtu pothuajse 70% të marinës iraniane dhe ka goditur edhe një anije shumë larg brigjeve të Iranit.

 Sa i përket mundësisë së përshkallëzimit, ajo është reale, sepse konflikti mori trajtat e një lufte që në pesë ditët e para, duke goditur disa vende të Gjirit. Kjo është një strategji politike për t’i vënë aleatët amerikanë në rajon përballë një fakti të kryer dhe për t’i detyruar të reagojnë ndaj SHBA-së për atë që po ndodh.

 

Brahaj:
Dje një predhë balistike, që thuhet se është lëshuar nga një zonë e Iranit, ka kaluar në Mesdhe, ku radarët e NATO-s e kanë neutralizuar në ajër, rreth 20 kilometra larg hapësirës ajrore turke. Megjithatë, disa fragmente kanë rënë në territorin turk dhe reagimet fillimisht kanë qenë diplomatike. Më vonë u kuptua se Turqia nuk ishte objektiv.

Në fakt, kjo situatë duhet parë më gjerë. Ajo që po shohim duket si një ndeshje 10-minutëshe dhe ne po shohim vetëm momentin e golit. Strategjia amerikane nuk ka nisur me Sirinë dhe Irakun, por shumë më herët. Në 20 vitet e fundit nuk është shtuar asnjë bazë amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme. Këtu Izraeli është ai që vepron i pari, por ka ndjekur një strategji shumë të mirëpërcaktuar për të kontrolluar rajonin e Lindjes së Mesme dhe Gjirin Persik. Pra, bëhet fjalë për një strategji të menduar shumë më herët. Strategjitë e vendeve të mëdha nuk ndërtohen thjesht për një zonë të caktuar, por edhe për të frenuar rivalët e mundshëm të së ardhmes, si Rusia, Kina apo India, në zonat e tyre të influencës. Qëllimi është ta fusë të gjithë rajonin në një gjendje kolapsi, nëse kjo i shërben interesave të saj.

 

Vojka:
Dje pati një votim në Senat nëse duhet të ndërpritet lufta dhe mendoj se Kongresi do të shkojë drejt detyrimit të presidentit Trump që të paraqitet përpara tij dhe të shpjegojë objektivat e luftës.

Sa i përket popullsisë, edhe ajo është e ndarë. Shumica e amerikanëve, mbi 60%, janë kundër kësaj lufte. Në këtë përqindje ndikon edhe ndarja sipas moshës: popullsia mbi 60 vjeç është kryesisht pro luftës, ndërsa ajo nën 60 vjeç është në shumicë dërrmuese kundër.

Strategjia fillestare ishte dekapitimi i zinxhirit drejtues të Iranit. Besohej se do të arrihej një konsensus mes iranianëve, sidomos pas protestave të mëparshme, dhe se regjimi do të dorëzohej, duke e bërë këtë një luftë të shkurtër, ndoshta pesëditore. 

Por kjo nuk po ndodh. Po ndodh ajo që shumë analistë e kishin parashikuar, pasi ushtria dhe lidershipi iranian kanë ndërtuar një sistem ku edhe nëse goditet zinxhiri drejtues, struktura vazhdon të funksionojë.

Sa i përket një strategjie afatgjatë, nuk besohet se ekziston një e tillë. Duket më shumë si një përpjekje për të gjetur një rrugëzgjidhje gjatë zhvillimit të konfliktit, duke reaguar hap pas hapi. Kjo reflektohet edhe në mënyrën se si po kryhen bombardimet ndaj Iranit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy