
Komisioneri Publik ankimoi konfirmimin në detyrë të gjyqtares, Nertina Kosova. Në dokument ankimin e Komisionerit Publik thuhet se hetimi administrativ është I paplotë dhe I kërkohet Kolegjit të Posacëm të Apelimit të riparojë mangësitë e vërejtura në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
“Nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës dhe aneksit të saj, konsiderojmë se hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për kriterin e pasurisë, referuar gjendjes së fakteve, nuk ka qenë i plotë dhe i gjithanshëm për krijimin e bindjes se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë së tij”, thuhet mes të tjerash në ankimin e Komisionerit Publik.
Për këtë arsye, Institucioni i Komisionerit Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ, të kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.
“Kërkojmë që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, dhe vetëm pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim mbi burimin e ligjshëm, saktësinë dhe mjaftueshmërinë e deklarimit të pasurisë/likuiditetet e subjektit të rivlerësimit znj. Nertina Kosova dhe personave të lidhur me të, në zbatim të nenit 59 dhe 61 të ligjit nr.84/2016, të vendosë në mënyrë alternative: - Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose - Lënien në fuqi të këtij vendimi”- thuhet në ankimin e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa.
Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Nertina Kosova, kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor u konfirmua në detyrë në datën 18 korrik. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu hetimin administrativ në tri kriteret: vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës dhe vlërësimi i aftësive profesionale.



