Mijëra klientë myslimanë i kanë kërkuar kompanisë Nike të tërheqë nga tregu atletet Air Max, me pretendimin se ndihen të fyer.
Shkak është pikërisht mbishkrimi AirMax në pjesën e tabanit të atleteve, që ata thonë se ngjan me fjalën Allah në arabisht.
Një kliente e firmës së veshjeve sportive, Saiqa Noreen, e cila vuri re ngjashmërinë e fjalëve ka iniciuar një peticion online, me të cilin kërkon tërheqjen e atleteve nga dyqanet.
“Është fyese të vendosësh emrin e Zotit në këpucë”, thotë ajo. Qindra besimtarë të tjerë myslimanë kanë postuar në rrjetet sociale fotot e atleteve, duke thënë se kjo është një fyerje për islamin.
Vetë kompania i hedh poshtë pretendimet për fyerje të qëllimshme të komunitetit mysliman, duke thënë se logoja përfaqëson vetëm emrin e produktit dhe asgjë më tepër.
“Logoja e Air Max është projektuar të jetë një paraqitje e stilizuar e markës tregtare Nike, Air Max. Ka për qëllim të pasqyrojë vetëm markën Air Max. Çdo kuptim tjetër i perceptuar tjetër është i paqëllimtë”, thuhet në deklaratën e kompanisë.



