Sekretarja organizative e Lëvizjes bashkë, njëherazi pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Mirela Ruko foli në "Mcn Economy" për një model të promovuar dhe të mbajtur nga Erion Veliaj në bashki, ku vidhen para publike përmes tenderave.
Ruko vë në dukje se nuk mund të jepet një tender në bashki pa dijeninë e kryebashkiakut Veliaj.
Po ashtu ajo u shpreh se bashkia ka thyer ligjin për informimin duke mos i dhënë Lëvizjes Bashkë informacion në lidhje me ty tendera.
“Pozicioni i drejtorit shihet si investim që të sjell të ardhura të mëdha. Nuk shkon njeri aty për të punuar për qytetin, komunitetin. Drejtorë të Bashkisë së Tiranës janë brenda strukturave të PS. Kemi lidhjen mes strukturës së partisë dhe drejtorëve që janë në krye të punëve në Bashkinë e Tiranës. Po të hulumtosh tenderat e dhëna nga bashkitë, kompanitë zotërohen nga emra të panjohur dhe s’kanë lidhje profesionale me kompaninë që drejtojnë. Është i njëjti model që Veliaj ka promovuar duke e mbajtur fort, duke vjedhur para publike”.
Lidhur me drejtorët e zëvendësuar, Ruko tha “Mendoj që ka të bëjë me hapjen e hetimeve ndaj drejtorëve të bashkisë, është modeli i Edi Ramës”.
“Së fundmi kërkova informacion për dy tendera, përveçse është thyer çdo ligj i informimit, ka kaluar mbi 1 muaj dhe s’marr përgjigje nga bashkia. Rastin e kam çuar te Komisioneri për të drejtën e Informimit, i cili është shmangur dhe s’më ka dhënë të drejtë, ku sipas tij funksionon ligji për qeverisjen vendore. Ka shumë kompani që futen në tendera, por s’ka raste ankimimi për padrejtësi në tenderim. Kompanitë që hyjnë aty, hyjnë gjasme për konkurrencë. U bëhet një padrejtësi edhe kompanive të rregullta që duan të futen në tendera publikë, ku mungon informacioni. Ka nevojë për hetime të specializura. Ne duam që institucionet e drejtësisë të funksionojnë dhe t’i nxisim përmes informacioneve paraprake. Do përdorim metodat tona për t’i marrë informacionet. Në Shqipëri kemi parti klienteliste, që marrin para për të blerë, për të bërë fushata luksoze elektorale, detyrohen t’u japin favore kompanive. Bashkia ka bërë parapagim për inceneratorin e Tiranës duke shkelur haptazi kontratën. Është e pamundur që mos ketë dijeni Veliaj për tenderat që jepen në Bashkinë e Tiranës. Në Bashkinë e Tiranës janë vjedhur para edhe nga tenderi i kancelarive, stilolapsave! Ata janë aty për të grabitur paranë publike dhe ndodh me firmën e Veliajt. Kriteret e tenderave shkruhen që t’i përshtaten kompanisë që do t’i jepen, deri te numri i punonjësve”.
Ajo tha se Bashkia e Tiranës mund të falimentojë, pasi i gjithë buxheti përqendrohet te taksa e mbledhur nga infrastruktura. Ruko tha se dy muajsh ka nisur rritja e stafit të pajustifikuar të Bashkisë së Tiranës.
Ruko shtoi se: “Ka një farë stepje nga punonjësit më poshtë për të firmosur tendera, pasi e kanë parë se ata kanë mbajtur peshën e abuzimeve, duke shkuar nëpër gjyqe. Di që ka raste që kanë ikur nga puna pasi s’duan të ndyjnë duart duke firmosur tendera duke thyer ligjin”.



