
Policia e Shtetit ka kallëzuar penalisht Federatën Shqiptare të Futbollit.
Dosja e cila i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës, sipas burimeve nga policia, është referuar nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar, dhe në të janë kallëzuar drejtues dhe punonjës të FSHF-së, me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Burime për MCN konfirmuan se organi i akuzës mësohet se e ka administruar dosjen në adresë të FSHF-së dhe ka nisur hetimet.
Kallëzimit të policisë, pritet t’i bashkëngjitet edhe ai i Bashkisë së Tiranës, e cila ka paralajmëruar padi ndaj zyrtarëve të FSHF-së, për shpërdorim detyre, si një ndër aksionerët e klubit të futbollit “Tirana”.
FSHF e cilëson qesharake kërkesën e Bashkisë së Tiranës për hetim ndërkombëtar ndaj presidentit Armando Duka. Në një reagim të publikuar në faqen e saj, FSHF shprehet se “një fletë-rrufe e tillë” është kërcënim për procesin zgjedhor në FSHF.
FSHF shprehet më tej se në këtë përpjekje, kryebashkiaku Veliaj po përpiqet të marrë role që nuk i ka. Në këto kushte, sipas FSHF, provat që pretendon se i ka, duhej të ishin dorëzuar në organet përkatëse dhe jo të përdoren për shantazh.
Kallëzimi ndaj drejtuesve të FSHF-së vjen pak kohë përpara se të mbahen zgjedhjet për drejtuesin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Aktualisht Armando Duka kërkon mandatin e 6-të për këtë post, që nga viti 2002 kohë kur është zgjedhur për herë të parë në krye të këtij institucioni.



