
Pas kërkesave nga Ukraina, Komisioni Evropian propozoi sot një sërë masash të përkohshme që kanë në thelb liberalizimin e tregtisë me Ukrainën, duke i mundësuar Kievit të ruaj pozicionin tregtar me pjesën tjetër të botës dhe të thellojë marrëdhëniet tregtare me BE-në.
“Këto masa të përkohshme dhe të jashtëzakonshme do të kontribuojnë në mbështetjen dhe nxitjen e flukseve ekzistuese tregtare nga Ukraina në Bashkimin Europian dhe do të shtojnë fleksibilitet dhe siguri për prodhuesit ukrainas”, tha Komisioni në propozimin e tij.
Komisioni tha se pushtimi rus i Ukrainës “ka pasur një ndikim të thellë negativ në aftësinë e Ukrainës për të tregtuar me pjesën tjetër të botës”.
Dhe për të zbutur ndikimin ekonomik të agresionit, Komisioni shpjegoi se ishte "e përshtatshme dhe e nevojshme" për të përshpejtuar marrëdhëniet më të ngushta ekonomike midis BE-së dhe Ukrainës "në mënyrë që të sigurohet një mbështetje e shpejtë për autoritetet ukrainase dhe popullsinë".
Propozimi i Komisionit do të heqë të gjitha tarifat, detyrimet e importit për produktet industriale, frutat dhe perimet, si dhe heqjen e kuotave për produktet bujqësore dhe të përpunuara bujqësore.



