
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, u largua nga Pakistani të dielën me avionin Air Force Two, duke u kthyer në atdhe pasi nuk u arrit një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës.
Delegacioni iranian gjithashtu është larguar nga Islamabadi, raportojnë mediat shtetërore.
Të dyja palët zhvilluan negociata intensive që nisën të shtunën dhe vazhduan gjatë gjithë natës deri në mëngjesin e së dielës.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se mosmarrëveshjet mbi “dy ose tre çështje kyçe” penguan arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara në Islamabad. Esmaeil Baqaei deklaroi për median shtetërore IRIB të dielën se palët arritën dakordësi për disa çështje, por kishte “hendek në qëndrime” për të tjerat. Më herët, JD Vance kishte theksuar se mungesa e një angazhimi të qartë nga Teherani për të hequr dorë nga arma bërthamore ishte një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes.
Ndërsa mediat shtetërore iraniane raportojnë se Teherani aktualisht nuk ka plane për një raund tjetër negociatash, Baqaei mbajti një qëndrim tjetër, duke thënë se “diplomacia nuk përfundon kurrë”.
“Nuk duhej të kishte pritshmëri që një marrëveshje të arrihej në një seancë të vetme. Nuk besoj se dikush kishte një pritshmëri të tillë,” u shpreh ai.
Baqaei shtoi se është i bindur se Irani do të vazhdojë kontaktet me Pakistanin, që shërbeu si ndërmjetës në bisedime, si dhe me “miq të tjerë në rajon”, megjithëse nuk specifikoi nëse Teherani planifikon të vazhdojë dialogun me Shtetet e Bashkuara.



