Elon Musk, një këshilltar i ngushtë i Donald Trump, u takua me ambasadorin e Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të hënën në Nju Jork për të kërkuar mënyra për të lehtësuar tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit, sipas dy zyrtarëve iranianë të cituar nga The New York Times.
Iranianët thanë se takimi mes Musk dhe ambasadorit Amir Saeed Iravani zgjati më shumë se një orë dhe u zhvillua në një vend sekret. Iranianët, të cilët folën në kushte anonimiteti, e përshkruan takimin si pozitiv dhe folën për “lajm të mirë”.
I pyetur nëse një takim i tillë kishte ndodhur, Stephen Teung, zyrtari i komunikimit të Trump, nuk pranoi të komentonte. Po ashtu edhe Musk.
Caroline Leavitt, zëdhënësja e administratës së tranzicionit Trump-Vance, tha nga ana e saj se “populli amerikan e rizgjodhi Presidentin Trump sepse i besojnë atij që të udhëheqë vendin tonë dhe të rivendosë paqen përmes fuqisë në mbarë botën.
Musk ka qenë i përfshirë në mënyra të ndryshme në të gjitha proceset e tranzicionit të nisura nga presidenti i ardhshëm dhe ka marrë pjesë aktive në të gjitha takimet për përzgjedhjen e fytyrave të administratës së re.
Gjatë një telefonate me Volodymyr Zelensky javën e kaluar, Trump ia dorëzoi telefonin miliarderit për të folur me presidentin ukrainas.
Musk ka luajtur një rol qendror në ruajtjen e aftësive të komunikimit të Ukrainës që nga fillimi i luftës me Rusinë.



