
“Janë më shumë se 430 milionë euro në aferën e inceneratorëve. Po bëhet teatër i shpifur, aq sa hierarkinë e folësve në radhët e Partisë Demokratike, e dikton kryeparlamentarja”.
Kështu tha nga ambientet e jashtme të Parlamentit, deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili shtoi se fokusi sot duhet të jetë për zbardhjen e kësaj afere korruptive dhe se gjithçka tjetër që ka të bëjë me zhvendosjen e vëmendjes, i shërben Edi Ramës.
“Kjo aferë është e mbrojtur nga Rama. Nuk është një aferë e bërë nga një apo dy ministra, janë përfshirë së paku 4 ministra, sekretari i përgjithshëm i Kryeministrit, disa kryetarë bashkish, për të bërë të mundur që këto para të përdoren qoftë për të blerë zgjedhje apo joshur persona të caktuar në media”, u shpreh Salianji.
Ai shtoi më tej se me këto para të vjedhura, do të ishte një situatë tjetër e gjendjes ekonomike në vend dhe nuk do të ndodheshim përballë pamundësinë e shtetit për të hequr nga ndihma ekonomike, dhjetëra mijëra qytetarë.



