
Brexit-i është kthyer në një "dhimbje koke" si për Britaninë e Madhe, edhe për vetë Brukselin. Britania po përpiqet të bëjë ndryshime në marrëveshjen e daljes nga Blloku, pasi Parlamenti refuzoi variantin e dakorduar me Brukselin. Por zyrtarët e lartë të Europës nuk i japin një shans të dytë kryeministres Theresa May.
Një ditë më parë, presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, tha se “ka një vend të veçantë në ferr” për ata që nxitën daljen nga BE-ja pa pasur më parë një plan që përcaktonte se si do të bëhej kjo.
Me të njëjtën fjalë e përshkruan situatën edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
“Jam më pak katolik se miku im Donald Tusk. Ai beson fuqimisht në parajsë dhe në të kundërtën e saj, ferrin. Unë besoj në parajsë, por ferrin nuk e kam parë kurrë , përveçse gjatë punës së muajve të fundit. Është një ferr i vërtetë”, ka thënë Juncker.



