Rezervuari i Lushnjës ende pa zgjidhje, Bashkia pret hetimet, ministri Salla premton ndërhyrje pa kompetenca!

Rezervuari i Lushnjës ende pa zgjidhje, Bashkia pret hetimet, ministri Salla premton ndërhyrje pa kompetenca!

Rezervuari i Kasharajt në Lushnjë, ku ngordhja masive e peshqve shkaktoi një dëm të rëndë ekologjik dhe ekonomik, rikthehet në vëmendjen e emisionit investigativ “Xhadat”. 

 

Pas raportimit të parë për tharjen e plotë të ujëmbledhësit dhe ndërhyrjen e forcave të ushtrisë dhe Emergjencave Civile për pastrimin e tij, "Xhadat" u rikthyen në terren më 16 tetor për të parë nëse situata kishte ndryshuar dhe çfarë po bënin institucionet për rikthimin e rezervuarit në normalitet.

 

Në raportimin e parë, “Xhadat” sollën pamjet e rezervuarit të tharë, ku tonelata peshqish kishin ngordhur, ndërsa era e rëndë kishte pushtuar zonën. Përpara kësaj katastrofe, rezervuari ishte një hapësirë natyrore me vlera për Lushnjën, e frekuentuar edhe si pikë çlodhjeje dhe rekreacioni.

 

Një nga personat e prekur drejtpërdrejt nga kjo situatë ishte Ylli Kashari, i cili kishte pasur kontratë me Ministrinë e Bujqësisë për shfrytëzimin e rezervuarit në periudhën 2007–2022. Ai deklaroi se dëmi kishte shkatërruar aktivitetin e tij profesional dhe se investimet e kryera ndër vite kishin shkuar dëm. Sipas tij, pas gjithë këtyre viteve pune dhe përkujdesjeje, kishte mbetur pa mundësinë për të ushtruar profesionin e tij.

 

Edhe deputeti Saimir Korreshi e cilësoi situatën si një dëm të rëndë ekologjik, duke ngritur shqetësimin për pasojat që tharja e rezervuarit kishte sjellë në mjedis dhe në jetën e zonës.

 

Por çfarë ka ndryshuar pas ndërhyrjes së institucioneve?

 

Më 16 tetor, ekipi i Emisionit “Xhadat” konstatoi se rezervuari ishte mbushur vetëm pjesërisht me ujë nga reshjet e fundit, ndërsa të dyja anët e tij vijonin të ishin të thata. 

 

Në zonë kishte ende mbetje peshqish, era e rëndë nuk ishte larguar plotësisht dhe në terren dalloheshin inerte, gjurmë automjetesh dhe rrjeta të përdorura gjatë nxjerrjes së sasive të mëdha të peshkut të ngordhur. Sipas vëzhgimit të ekipit, nuk kishte pasur ndërhyrje të dukshme për përmirësimin e gjendjes së rezervuarit pas pastrimit fillestar.

 

Për të marrë informacion mbi masat që do të ndërmerren, gazetari Ersid Karaj iu drejtua Bashkisë së Lushnjës. Kryetarja nuk ishte e disponueshme për një prononcim, ndërsa në zyrën e informacionit ekipi u njoftua se Bashkia kishte depozituar një kallëzim penal ndaj firmës që kishte mirëmbajtur rezervuarin. Përtej këtij informacioni, nuk u dha asnjë sqarim se çfarë planifikonte institucioni për rehabilitimin e ujëmbledhësit.

 

Pas kërkesës zyrtare për informacion, Bashkia ktheu një përgjigje me shkrim, por sërish nuk dha të dhëna konkrete për të ardhmen e rezervuarit. Institucioni u mjaftua duke bërë me dije se kishte depozituar kallëzim penal në Prokurori dhe se ishte në pritje të përfundimit të hetimeve. Për këtë arsye, Bashkia refuzoi të japë informacionin e kërkuar, duke argumentuar se çështja ishte nën hetim.

 

Por kërkesa nga emisioni “Xhadat” nuk kishte të bënte me ecurinë e hetimit penal apo me përcaktimin e fajësisë së subjektit të kallëzuar. Redaksia kërkoi të dinte se çfarë masash do të merrte Bashkia për rehabilitimin e rezervuarit, nëse kishte një plan konkret për rikthimin e tij në normalitet, kur pritej të përfundonin ndërhyrjet dhe nëse parashikohej ripopullimi me peshq. 

 

Një kallëzim penal mund të ndihmojë në përcaktimin e përgjegjësive për atë që ndodhi, por nuk i përgjigjet pyetjes se çfarë do të bëhet për rikthimin e rezervuarit.

 

Në këtë situatë, vëmendja u drejtua edhe te Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ministri Andis Salla kishte deklaruar publikisht se, pasi rezervuari të kthehej në normalitet, Ministria do të angazhohej për ripopullimin e tij me rasate peshku, ndërkohë që administrimin e rezervuarit dhe kompetencat përkatëse ia atribuonte pushtetit vendor.

 

Për të sqaruar bazën ligjore dhe mënyrën se si do të realizohej ky angazhim, “Xhadat” iu drejtua zyrtarisht Ministrisë së Bujqësisë. Në kërkesën për informacion, redaksia pyeti se cila është baza ligjore që i jep Ministrisë kompetencën për të realizuar ripopullimin me rasate peshku, duke qenë se administrimi i rezervuarit dhe kompetencat për peshkimin i janë kaluar pushtetit vendor.

 

Përgjigjja e Ministrisë nuk përmban një plan të miratuar për ndërhyrjen dhe as një afat konkret për realizimin e ripopullimit. Institucioni bën me dije se po shqyrton mundësinë e lidhjes së një marrëveshjeje me Bashkinë e Lushnjës për këtë qëllim.

 

Kështu, deklarata publike e ministrit për ripopullimin e rezervuarit ende nuk është shoqëruar me një angazhim konkret institucional, me afate dhe me një plan të përcaktuar. Nga ana tjetër, Bashkia e Lushnjës, e cila i atribuon vetes kompetencat e administrimit, nuk ka bërë të ditur se çfarë do të ndërmarrë për rehabilitimin e tij.

 

Rezervuari i Kasharajt vijon të mbajë pasojat e dëmit ekologjik, ndërsa banorët dhe personat që kanë pasur aktivitet ekonomik të lidhur me të presin përgjigje për të ardhmen e tij. 

 

Hetimi penal mund të përcaktojë përgjegjësitë për ngjarjen, por rikthimi i rezervuarit në funksion kërkon një plan konkret, bashkërendim mes institucioneve dhe afate të qarta.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy