
Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat pas takimit me tre përfaqësues të zonës së “5 majit” të cilët kundërshtojnë shembjen e banesave. Rama u shpreh se edhe ata që e kanë shtëpinë pa letra nuk do lihen në qiell të hapur, por qasja do të jetë solidare.
Për ta zgjedhja është e qartë ose dëmshpërblim financiar ose kompensim me këmbim që të marrin më shumë se ç’kanë duke qenë pronar. Për ata që janë pa letra si puna e nënës, sërish qasja është solidare, nuk është nxjerrje në rrugë në qiell të hapur. Shtëpia pa leje prishet dhe familja merr kompensimin me shtëpi njësoj si ata që mbetën pa shtëpi nga tërmeti. Deri në ditën e marrjes së shtëpisë paguhet nga shteti një bonus qiraje për familje. Nëse gjeni në vende të tjera një rast tjetër, shikoni rastin e Turqisë dhe hajde na e tregoni. Në asnjë rast nuk jepet asgjë pa kredi. Ka qenë e qartë, por kur futen xhagajdurët dhe politika në mes gjërat bëhen çorap”, tha Rama.



