Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka zgjatur edhe tre muaj të tjera hetimet që po zhvillohen ndaj zëvendës drejtorit të OFL, Artan Shkëmbi. Ai është vënë nën akuzë për “Shpërdorim detyre” dhe “Nxjerrje të sekretit hetimor”, dhe si pasojë ndaj tij SPAK ka shtyrë edhe masën e pezullimit nga detyra.
Kërkesa e prokurorisë është miratuar nga gjykata ditën e sotme, ndërkohë sipas SPAK vijojnë hetimet në lidhje me akuzën ndaj Shkëmbit. Nëndrejtori i Operacionit Forca e Ligjit Artan Shkëmbi do të vijojë qëndrojë i pezulluar derisa dosja në ngarkim të tij do të shqyrtohet nga trupa gjyqësore.
Ai u pezullua nga detyra pas dekonspirimit të operacionit sekret në të cilin ishin përfshirë edhe autoritete gjermane. Autoritetet kishin kërkuar informacion në lidhje me dy persona të cilët akuzoheshin se kishin kryer veprimtari kriminale, por që sipas tyre në lidhje me këtë kërkesë ishte vënë në dijeni vetë grupi kriminal.
Sipas gjermanëve ishte vetë Shkëmbi ai që dekonspiroi informacionin duke vënë në dijeni Aleksandër Prronin dhe Klaudio Vukajn përmes një platforme ‘chati’ se po hetoheshin nga Gjermania. Ai u pezullua nga detyra më 28 shtator ndërsa i rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre” dhe “Nxjerrje sekreti”.



