Influenceri australian Johnson Wen, i njohur online si “Pyjama Man” dhe i famshëm për ndërhyrjet e tij të papritura në skena koncertesh dhe evente publike, u përjashtua nga koncerti i Lady Gaga-s në Stadiumin Suncorp përpara se të fillonte shfaqja.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur Wen shoqërohet jashtë arenës nga rojet e sigurisë. Në Instagram, 26-vjeçari tha se u “përzë” nga koncerti ndërsa fansat po e “fishkëllenin”.
Sipas NBC News, përjashtimi i tij ndodh vetëm disa javë pasi Wen u hodh mbi një barrikadë dhe iu afrua Ariana Grande-s në premierën e filmit “Wicked: For Good” në Singapor, ku arriti t’i vendoste krahun këngëtares për pak sekonda përpara ndërhyrjes së Cynthia Erivo-s dhe Michelle Yeoh.
Wen ka ndërhyrë edhe në skena të tjera, përfshirë një koncert të Katy Perry-t në Sydney, për të cilin u burgos për nëntë ditë dhe u deportua.
Suncorp Stadium tha për The Sydney Morning Herald se ishte njoftuar më herët se një “shkelës serial” mund të tentonte të prishte koncertin, dhe se personi në fjalë, që më vonë rezultoi të ishte Wen, u identifikua dhe iu dorëzua policisë përpara koncertit.
Lady Gaga pritet të përfundojë turneun në Australi me dy koncerte në Sydney këtë fundjavë.



