Garancia sovrane ishte sot në fokus të emisionit “MCN Economy”, ku qeveria është në kërkim të lekëve të veta, pasi afro 11 mijë debitorë nuk kanë shlyer detyrimet. Duke folur mbi agjencinë e re që po krijon qeveria, eksperti i Financave Elvin Meka tha se ajo do të konvertohet në bankë që menaxhon të gjithë këtë hua në rrugë të drejtë ligjore. “Ligji ndoshta duhet të ishte bërë më shpejt por qeveria mund të ketë pasur prioritete të tjera. Ligji është i thjeshtë, s’ka ndonjë kompleksitet të jashtëzakonshëm. Është i rëndësishëm në mesazhin që jep dhe atë që përpiqet të menaxhojë. Që nga momenti që janë disbursuar garancitë sovrane kanë kaluar 3 vjet. Ekzistojnë një numër jo i vogël i debitorëve dhe klientëve që përfituan një pjesë të kësaj garancie sovrane, por për arsye subjektive apo objektive s’e kanë kthyer këtë para. Ligji përtej teknikaliteteve që fshihen në nene të ndryshme, ka një arsye madhore pse qeveria del sot me këtë pr.ligj. E para rikthen në rrugë të drejtë hapa që janë ndërmarrë 3 vjet më parë, por janë bërë disi partizançe. Nuk është problemi se, u dhanë këto para, por si do menaxhohen më tej nga ana proceduriale. Njerëzit bizneset shkuan dhe i morën këto para, por si do kthehen mbrapsht. Kush do ketë tagrin që ta kthejë, çfarë duhet të bëjë, çfarë duhet të raportojë. Ligji organik që ka Shqipëria që rregullon huadhënien dhe garancinë sovrane s’i ka të parashikuara. U ndërmorën veprime përpara, pa pasur një rregullim ligjore. Tani po kthehemi në rrugë të shtruar. Hapi i parë është përcaktimi i saktë ligjor, identifikimi i aktorëve që do ta bëjnë këtë gjë dhe si do ta bëjnë këtë gjë. Janë 11 mijë debitorë, që në total nuk është një numër i vogël”, tha ai. I pyetur përse po tolerohen debitorët, Meka u shpreh: “Nuk është kaq e thjeshtë. Është një numër i lartë, rreth 11 mijë debitorë, që në total kanë një shumë jo të vogël. Duke qenë para shtetërore, nëse nuk del ndonjë dekret, ligj apo VKM që i fal këto detyrime....Por s’është rasti, pasi fakti që qeveria ka lançuar një draft-ligj që do kthehet në ligj, tregon që është një çështje e ndjeshme. Qeveria po bëhet shumë kërkuese, ndoshta me të drejtë, këtu s’mund të fajësohet qeveria. Ligji po përpiqet të korrektojë njëherë e para, gjërat e parregullta që vet shteti ka bërë. Ligji aktual nuk ka përcaktime se si menaxhohen këto garanci sovrane të disbursuara. Fatkeqësia e legjislacionit shqiptar është që bëjmë vetëm një ligj dhe nuk e ndjekim me aktet nënligjore, që synojnë zbatimin pa ekuivok të dispozitave ligjore”. Meka vuri në dukje një tjetër aspekt që lidhet me kapitalin human të Ministrisë së Financave. “Një aspekt tjetër ka të bëjë me vet kapitalin human të Ministrisë së Financave. Supozoni që kemi një bankë, sepse qeveria ka vepruar si një bankë, por teknikisht MF ka financuar si bankë e madhe që u ka dhënë mijëra njerëzve kredi. Keni 11 mijë klientë, me të cilët sikur përditë të merresh me ta sa qindra personel njerëzor i kualifikuar duhet për t’u marrë me këta njerëz. Ajo s’është kredi e bankave. Bankat s’e kanë tagër ligjor të merren me këto klientë të këqij të shtetit. Qeveria përmes kësaj agjencie po mundohet të modelojë të gjithë këtë sipërmarrje si një bankë. Kjo agjenci e re me këto të drejta të shtuara, praktikisht konvertohet në bankë që menaxhon të gjithë këto hua në rrugë të drejtë ligjore. Ashtu sikundër bankat kanë procedura të sakta, rregulla, që veprojnë për të mbledhur kreditë me probleme, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe shteti nëpërmjet kësaj strukture apo agjencie. Kjo s’është në konkurrencë me bankat, sepse s’janë klientë të bankave”.



