Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se pas marsit, nëse deri atëherë nuk është miratuar buxheti, shteti nuk ka më instrumente ligjore të funksionimit në kuptimin financiar. Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se pa miratimin e buxhetit të vitit 2020, shteti falimenton, pasi shfrytëzimi i buxhetit të vitit paraprak mund të bëhet vetëm deri në muajin mars.
“Për më 1 prill nuk ka instrumente të tjera ligjore të funksionimit të shtetit në kuptimin financiar, jo vetëm që falimentojmë, por dështojmë krejtësisht. Deri më 1 prill, është fundi”, paralajmëroi Haradinaj.
Sipas ligjeve të Kosovës, 1/12 e buxhetit paraprak aktivizohet automatikisht për muajin janar dhe shkurt, ndërkohë për muajin mars, nëse nuk votohet buxheti i vitit 2020, atëherë mund t’i kërkohet Kuvendit të Kosovës të vazhdohet buxheti paraprak edhe për muajin e tretë.
Por nëse nuk votohet buxheti, në prill pason falimenti.
Haradinaj tha se është detyrë e Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, që t’i japë Kosovës institucionet e reja, ose të ndërmarrë hapa të tjerë.
Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova nuk ka ende një qeveri. Kjo për shkak të pamundësisë së arritjes së një koalicioni qeverisës mes Vetëvendosjes dhe LKD-së.



