Aeroporti ndërkombëtar i Mynihut në Gjermani u mbyll për rreth shtatë orë pas raportimeve për praninë e disa dronëve në hapësirën ajrore. Incidenti çoi në pezullimin e 17 fluturimeve dhe devijimin e 15 të tjerave drejt qyteteve si Stutgarti, Nurembergu, Frankfurti dhe Vjena, duke prekur rreth 3 mijë pasagjerë.
Dronët u panë për herë të parë mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30, ndërsa autoritetet federale gjermane konfirmuan praninë e tyre por pa dhënë detaje për llojin. Aeroporti rifilloi operacionet në orën 5 të mëngjesit.
Mynihu është i fundit në listën e aeroporteve evropiane që mbyllet për shkak të dronëve, pas rasteve në Kopenhagë dhe Oslo. Incidentet vijnë mes shqetësimeve për një luftë hibride ndaj Evropës, e cila ka nisur tashmë projektin e një “muri kundër dronëve” për të rritur sigurinë ajrore. 20 dronë rusë kaluan në Poloni dhe avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë kohët e fundit.



