Ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, kërkoi sot përjashtimin e dy anëtarëve të trupit gjykues në shkallën e dytë të vetingut. Sipas Prelës, ajo ka konflikt interesi me Ina Ramën, pasi ka hetuar mbesën e saj, Izabela Demiraj, sekretare në Gjykatën e Durrësit. Prela tha se e ka pritur tërheqjen e Ramës.
"Komisioneri Publik ka kryer ankim në KPA për mua. Kam pritur që Ina Rama të jepte dorëheqjen për konflikt interesi pasi në Prokurorinë Durrës, unë kam kryer hetime për mbesën e Ina Ramës. Mbesa ka qenë sekretare në Gjykatën e Durrësit dhe kësaj shtetaseje i është kërkuar plotësimin e dosjes dhe rezulton se ajo shtetase ka refuzuar ta plotësojë për diplomimin dhe është larguar nga puna. Ajo ka bërë pastaj kërkesë për të punuar si psikologe në gjykatë me një diplomë të Kristalit. Pas hetimit nga ana ime ka rezultuar se diploma ka qenë e falsifikuar. Kam kërkuar pezullimin e saj nga detyra, kërkesë e pranuar nga gjykata. Jam njoftuar se ajo ishte mbesa e Ina Ramës në një moment të vonë. Kam shpallur moskompetencë dhe Gjykata e Kavajës e ka dënuar sipas Kodit Penal. Unë kam pritur nga gjyqtarja Ina Rama që të tërhiqet nga kjo çështje për shkak të këtyre konflikteve të interesit"m tha Prela.
Aktualisht, Donika Prela është në filtrin e dytë të procesit të vetingut. Pasi u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioneri Publik e ankimoi vendimin në shkallën e dytë të vetingut, KPA.



