
Menjëherë pas miratimit të projekt-rezolutës nga Parlamenti, ku i kërkohet presidentit Ilir Meta të heqë dorë nga çdo lloj tentative dhe akti që bllokon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar kjo e fundit, përmes një deklarate në faqen e saj zyrtare. Lidhur me rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore në lidhje me kërkesat që paraqiten përpara saj. Gjykata Kushtetuese shprehet se për këtë arsye, nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese. Së fundmi, në reagimin Kushtetueses sqarohet se kjo gjykatë është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.
Miratohet rezoluta për të shmangur krizën në Gjykatën Kushtetuese
Me 97 vota pro Kuvendi i Shqipërisë miratoi projekt-rezolutën për shmangien e krizës kushtetuese, që erdhi pas dekretit të presidentit Ilir Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarit në të njëjtin vend të zënë më parë nga gjykatësja Arta Vorpsi.

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet kështu "të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit", tha Balla teksa kërkoi mbështetjen e të gjithë deputetëve ndaj kësaj rezolute".
Seanca e jashtëzakonshme/ Balla: Presidenti, kundërshtar i madh i Gjykatës Kushtetuese

Kryetari i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla ka drejtuar gishtin nga Presidenti Ilir Meta si shkaktar i krizës kushtetuese.
Nga foltorja e Kuvendit, në seancën e jashtëzakonshme që po mban, Balla ka akuzuar Metën se po pengon plotësimin e vakancave në Kushtetuese.
“Shqipëria ndodhet në mënyrë të padrejtë për shkak të një akti antikushtetues të presidentit përballë një krize që synon të deligjitimojë Gjykatën Kushtetuese.
Ne kemi detyrimin për të gjetur zgjidhjen. Ajo që nuk mund të parashikonin ishte se edhe pse me kompetenca të tilla dhe me pushtet honorifik, ka tentativa për të bllokuar dhe nxitur një krizë kushtetuese.
Ky president do të mbahet mend gjatë për shkak se doli dhe u vetë tregua si kundërshtari më i madh i gjykatës kushtetuese. Në thelb duke simuluar një krizë kushtetuese po pengon vakancat në Gjykatën Kushtetuese”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së ka sulmuar Presidentin duke thënë se ai është kundër krijimit të gjykatës Kushtetuese. Madje Balla ka mbrojtur dhe Ardian Dvoranin, kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, listat e të cilit në fakt sollën dhe krizën e përplasjet mes shumicës dhe Presidentit.
“I bëj apel presidentit, është e papranueshme që në cilësinë e kryetarit të shtetit të përgojojë me pa të drejtë drejtues të institucioneve të tjera në vend, kushtetuta jonë e ka vendosur në majën e piramidës, por nuk ndodh asgjëkundi që presidenti të marrë nëpër gojë kryetarin e KED edhe pse në rastin në fjalë presidenti duhet të jetë i fundit në këtë vend për tu marrë me Dvroranin, sa kohë që ai ka qenë një prej 5 gjyqtarëve të dosjes penale në ngarkim të Ilir Metës e që në atë dosje Dvorani ka pasur mendim kundër me 4 anëtaret e tjerë. E padrejtë për këdo por më shumë për ne që kemi mandate përfaqësuese, apo presidenti që të përdorë institucionin e Presidentit për të atakuar një ish gjyqtar që ka gjykuar një cështje në ngarkim të tij e që për rastin në fjalë mund të ketë kërkuar edhe burg”- tha ai.
Kaosi me Gjykatën Kushtetuese/ Kuvendi sot në seancë të jashtëzakonshme
Parlamenti sot pritet të mblidhet në orën 10:00 në një seancë të jashtëzakonshme, vendim që u mor ditën e djeshme menjëherë pasi presidenti, Ilir Meta, dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Ringritja e Gjykatës Kushtetuese solli edhe njëherë përplasje të forta mes institucioneve shtetërore, sidomos mes KED dhe Presidencës. Konferenca e Kryetarëve e cila u mbajt dje në mesdite, arriti në një rezolutë të posaçme në të cilën do të bazohet sot Kuvendi në seancën e jashtëzakonshme, në të cilën ende nuk dihet konkretisht se çfarë do të vendoset.
Në rend dite për sot do të jenë diskutime për dekretin e Presidentit për caktimin e Marsida Xhafellarit si anëtare të Gjykates Kushtetuese, i cili është cilësuar nga maxhoranca si i papranueshëm. Në projekt-rezolutën e hartuar nga socialistët, ata i bëjnë thirrje Presidentit që të të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi.
“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.”, shkruhet më tej në projekt-rezolutën që pritet të diskutohet sot.
Kreu i shtetit dekretoi dje tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferrllari, ndërsa Arta Vorpsi u betua si anëtare në noteri duke anashkaluar institucionin e presidencës. Ky veprim u interpretua në forma të ndryshme edhe pse Vorpsi dje u paraqit zyrtarisht në Gjykatë Kushtetuese.



