Valëvitja e flamurit rus? Me shumë rrezik! Kjo ka bërë që shumë anije me flamurin rus ta ndryshonin atë në muajin mars, me gjasë për të fshehur lidhjet e tyre me Moskën dhe për të shmangur kapjen nga sanksionet e vendosura, pas nisjes së sulmit në Ukrainë.
Sipas kompanisë së konsulencës detare Windward Ltd, 18 anije, duke përfshirë 11 anije tregtare në të njëjtën flotë, kaluan në flamuj jo-rusë muajin e kaluar.
Disa nga prej tyre mund të tregojnë se pronarët e këtyre anijeve duan të maskojnë qëllimisht identitetin e tyre në mënyrë që të kryejnë biznes, pasi në të kundërt nuk do të lejoheshin sipas sanksioneve të reja.
Kështu deklaroi Windward në një raport të përbashkët me Bloomberg News.
Ndryshimet e flamurit vijnë pasi anijet ruse, nga cisternat e naftës e deri te jahtet miliona dollarëshe në pronësi të oligarkëve, “u errësuan”, duke çaktivizuar identifikimin e pozicionit dhe sistemet e transmetimit të cilat duhet të jenë gjithmonë të ndezura gjatë lëvizjes në det.
Praktika ndihmon në shmangien e zbulimit dhe mund të përbëjë rrezik për sigurinë detare. SHBA, Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë kanë rritur sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, filluar më 24 shkurt.
Më 8 mars, presidenti amerikan Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv që ndalonte importet e naftës dhe gazit rus, ndërsa Mbretëria e Bashkuar tha se do të ndalonte gradualisht importet e naftës deri në fund të vitit.
“Kompanitë e huaja kanë motive të ndryshme për t’u larguar nga flamuri rus, ato duan që anijet e tyre të jenë në gjendje të operojnë kudo pa kufizime dhe, në disa raste për arsye morale”, tha Gur Sender, menaxher i produkteve Windward.
Nga 18 anijet, tre janë cisterna nafte, dy prej të cilave transportojnë naftë. Pesë të tjera që ndryshuan flamur në muajin mars janë të lidhura drejtpërdrejt me pronarët rusë.
Njëmbëdhjetë anije tregtare vijnë nga e njëjta flotë në pronësi të një kompanie të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të gjitha kanë ndryshuar flamurin në Ishujt Marshall.
Ndryshimi i flamurit nuk është domosdoshmërisht i pazakontë, pasi ndonjëherë ndodh për shkak të një ndryshimi pronësie ose zone operimi.
Mesatarja mujore për anijet e Singaporit në vitin 2021 ishte 17 ndryshime flamuri, ndërsa Japonia mesatarisht pesë në muaj.
Ajo që i bën ndryshimet e flamurit interesante është kur ato ndodhin njëkohësisht me kufizimet tregtare kundrejt një vendi të caktuar, veçanërisht kur një nga kompanitë e menaxhimit ose të pronësisë është e regjistruar në të njëjtin vend të sanksionuar.



