Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një bisedë online me 7 homologë nga rajoni dhe jo vetëm, lidhur me masat e marra në sistemin e Drejtësisë sa i takon situatës së pandemisë COVID-19.
“Në një iniciativë të përbashkët me kolegen time Alma Zadić, ministren e Drejtësisë së Austrisë, zhvilluam një takim online me disa kolegë të Ministrive të Drejtësisë si ajo e Italisë, Francës, Holandës dhe të rajonit, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës”,- tha Gjonaj.
“Takimi midis homologëve dhe përfaqësuesve të tetë Ministrive të Drejtësisë, kishte si qëllim shkëmbimin e praktikës së ndjekur për masat që kemi ndërmarrë për përballimin e situatës pandemike në të cilën ndodhemi”, -vijon Gjonaj.
“Një bisedim tepër miqësor dhe i frytshëm na mundësoi të njihnim në detaje masat e marra në sistemin e drejtësisë dhe në sistemin penitenciar nga ministrat e Drejtësisë të vendeve pjesëmarrëse. Pavarësisht ndryshimeve të shifrave të të prekurve në vendet tona, rezultoi se kishim reaguar në mënyrë të ngjashme për masat në sistemin e drejtësisë, si për pezullimin e proceseve gjyqësore ashtu dhe afateve proceduriale, për orientimin drejt alternativave të dënimit dhe për zhvillimin e proceseve gjyqësore nëpërmjet sistemeve elektronike online”, -bën me dije Gjonaj.
“Sfida e madhe e përbashkët e ministrave të Drejtësisë është sistemi penitenciar, për të cilat diskutuam në këtë takim, duke përfshirë masat e marra të cilat janë të ngjashme nga një vend tek tjetri si në aspektin e protokolleve shëndetësore të ndjekura në institucione, ashtu edhe në pezullimin e disa aktiviteteve të zakonshme të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Gjatë takimit ndamë eksperiencat mbi masat e ndërmarra me qëllim uljen e mbipopullimit dhe lirimin e kapaciteteve të institucioneve penitenciare, duke përmendur iniciativa të ngjashme për lirimin e personave të dënuar me rrezikshmëri të ulët apo me sëmundje kronike të cilat janë ndërmarrë në një sërë shtetesh sikurse në vendin tonë”,- tha Gjonaj.
“Ishte kënaqësi të shikoje angazhimin e të gjithë kolegëve në këtë sfidë të përbashkët, se përtej të qenit vende të ndryshme, problematikat dhe qasja ndaj tyre na bashkon jo vetëm për të vlerësuar masat e deritanishme, por edhe për të krahasuar dhe shkëmbyer hapat që do ndjekim në këtë fazë të dytë delikate të hapjes graduale. Në mbyllje të këtij takimi, vlerësuam se ky forum diskutimi do të vijojë me takime të tjera dhe rëndësinë e shkëmbimit dhe forcimit të bashkëpunimit të ministrave të drejtësisë për të qenë së bashku në sfida të tilla madhore”,- u shpreh ministrja.
“Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë kolegen Zadić, së bashku me të cilën arritëm të realizojmë në një kohë të shkurtër këtë forum diskutimi, ashtu si dhe të gjithë kolegët të cilët treguan vullnetin dhe angazhimin për të qenë pjesë e këtij takimi për të ndarë eksperiencën e tyre më të mirë dhe për të forcuar urat tona të bashkëveprimit. Faleminderit Alma Zadić, Renata Deskoska, Nicole Belloubet, Alfonso Bonafede, Ferdinand Grapperhaus, Nela Kuburović Kisić dhe Mato Jozić”, përfundoi Gjonaj.



