
Një ditë pas “premtimit” rus për zvogëlimin të sulmeve në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje qytetarëve amerikanë të mos udhëtojnë drejt Rusisë dhe në rast se jetojnë atje të largohen urgjentisht nga vendi.
"Qytetarët amerikanë që banojnë ose udhëtojnë në Rusi duhet të largohen menjëherë nga Rusia," tha departamenti, pasi i informoi ata për aftësinë e kufizuar të ambasadës për të ndihmuar shtetasit në vend.
Ai paralajmëroi se "kartat e kreditit dhe debitit të SHBA nuk funksionojnë më në Rusi dhe opsionet për të transferuar në mënyrë elektronike fonde nga Shtetet e Bashkuara janë jashtëzakonisht të kufizuara si rezultat i sanksioneve të vendosura ndaj bankave ruse".
Qytetarët amerikanë duhet të bëjnë rregullimet e tyre për t'u larguar nga vendi, tha departamenti, pasi paralajmëroi se "opsionet e kufizuara të fluturimeve tregtare dhe rrugët tokësore me makinë dhe autobus janë ende të hapura dhe të disponueshme".
Ambasada e SHBA ka kufizime të rënda në aftësinë e saj për të ndihmuar qytetarët amerikanë dhe kushtet, duke përfshirë opsionet e transportit, mund të bëhen papritmas edhe më të kufizuara.
Ai tha se për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, një numër linjash ajrore po anulojnë shërbimet e tyre në vend dhe "vende të shumta kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për linjat ajrore ruse".
Departamenti "këshilloi" shtetasit amerikanë që të mos udhëtojnë nga Rusia në Ukrainë me rrugë tokësore, duke thënë se "situata përgjatë kufirit është e rrezikshme dhe e paparashikueshme".
Këshilla vjen pasi presidenti Joe Biden shprehu skepticizmin e tij rreth njoftimit të Rusisë për zvogëlimin e operacioneve ushtarake pranë kryeqytetit ukrainas të Kievit.



