
Një automjet tip “Toyota”, në pronësi të një 32-vjeçari është djegur gjatë natës në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve nga policia, makina ka qenë e parkuar në oborrin e banesës dhe dyshohet se autori mund të ketë kapërcyer murin rrethues për të hyrë në brendësi dhe për t’i vendosur zjarrin.
Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm dhe se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të saj. Familjarët e 32-vjeçarit dyshojmë se mjeti mund të jetë djegur për motive që lidhen me profesionin e të riut në hipotekën e qytetit të Vlorës, por pa përjashtuar pistën e konflikteve familjare.
Motra e 32-vjeçarit ka hedhur dyshime se ngjarja mund të lidhet me ish-bashkëshortin e saj, pasi prej kohësh ai kërkon kujdestarinë e fëmijës por që nuk e ka fituar. Nisur nga këto deklarata, policia ha nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



