Eksperti i mjedisit Rodion Gjoka duke folur mbi ndotjen në edicionin e lajmeve në MCN TV, thekson se matjet e cilësisë së ajrit u ndaluan pas reformës territoriale, dhe kjo sipas tij nuk është rastësore.
Sipas Gjokës ka dyshime për një megakorrupsion sidomos në procesin e monitorimit dhe inspektimit.
Ai vë në dukje se Ministria e Mjedisit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit nuk kryejnë inspektime për të parë nëse raportet e vetdeklarimit të bizneseve janë të vërteta apo fiktive, pasi kryhen në laboratorë privatë.
Gjoka po ashtu bën me dije se qyteti më i ndotur pas Tiranës është Elbasani.
Ne kryejmë matje alternative prej fillimit të vitit 2018, dhe kemi pasur dy qasje për mënyrën si i kryejmë këto matje, e para është në mënyrë stacionare, pra me informacione që mblidhen në 24 orë të ditës, për një kohëzgjatje prej gati një viti, dhe më pas kanë qenë edhe inspektimet, ku ne shkojmë me aparate portative pranë atyre që i dyshojmë si vendburime të ndotjes, apo lagjeve, parqeve, shkollave. Tirana është një vendburim i madh i ndotjes, dhe kjo ndotje është shtuar relativisht pas reformës territoriale, dhe nuk u zgjodh që të shtrihej qyteti, por u densifikua zona më e dendur e Tiranës.
Zonat më problematike janë kryqëzimet, dhe të gjitha kantieret e ndërtimet, qofshin për pallate apo godina të ndryshme, pa harruar këtu bizneset dhe sipërmarrjet të cilat kryejnë veprimtari të ndryshme. Procesi i djegies së lëndës djegëse nga makina, dhe proceset e infrastrukturës pra ndërtimit, nuk monitorohen, dhe shkarkimet në ajër, ujë dhe, tokë sjellin akumulimin e një ndotje të madhe. Të vetmet komponentë që ndihmojnë në pastrimin e ajrit janë ato klimatikë, pasi komponenti i ajrosjes natyrale të qytetit tashmë është dëmtuar me këtë lloj densifikimi. Vetëm kur kemi era të forta apo shira qyteti zbret në norma të BE, pasi në norma të OKB-së qyteti nuk zbriti as në kohën e pandemisë.
Për nivel ndotje pas kryeqytetit unë do listoja Elbasanin, për shkak të ndërhyrjes së madhe që po kryhet vitet e fundit në industrinë infrastrukturore, sidomos përgjatë vijës së lumit Shkumbin, ku po ndërtohet aksi për në Librazhd, sikurse edhe parku i ri për automjetet. Nga krahu tjetër është edhe industria. Pas Elbasanit, të gjitha qytetet e tjera kanë një karakteristike të tyren sa i takon ndotjes, Durrësi është sezonal, dhe Korça gjatë dimrit ia kalon edhe Tiranës nga shkarkimet si pasojë e ngrohjes me lëndë drusore, më pas kemi Krujën që nivelet e pluhurit nga guroret dhe industria e çimentos i kalojnë me 30-fish normat e BE. Mos harrojmë Fierin, Patosin, Mallakastrën, Lezhën, Poliçanin, Dimalin. Në disa prej qyteteve ka edhe padi ndaj qytetarët për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes.
Mesazhet që vijnë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në 7 vitet e fundit janë shumë kontradiktore, brenda vitit ka momente kur thonë nuk monitorohet sepse s’ka pajisje, pastaj thuhet që po monitorojmë sipas planit. Ministrja thotë që kemi stacione që monitorojmë 24 orë. Kur vjen momenti për t’u publikuar raporti mbi gjendjen e mjedisit, kapitulli i ajrit është më qesharaku në atë raport. Arsyeja pse ne si shoqëri civile kemi nisur të monitorojmë, ishte pasi në fund të vitit 2016 vumë re që mungonin të dhënat mbi cilësinë e ajrit, ndërkohë që më parë mateshin, paçka se me rezerva asnjëherë sipas metodologjisë së parashikuar, por kishte disa indicie. Pas reformës territoriale u ndaluan matjet, duket si koeçidencë, por nuk është. Për sa kohë nuk ka monitorim, do të thotë që këto para kanë shkuar diku, kanë shkuar për korrupsion, për përfitime, por kurrsesi për mjedisin. Është qytetari që i mbart kostot, jo investitori dhe shteti, i mbart kostot te shëndeti dhe cilësia e jetesës. Një tjetër arsye Agjencia
Kombëtare e Mjedisit nuk monitoron nuk buxheton në momentin kur hartohet plan-buxheti për agjencinë dhe ministrinë. Asnjëherë s’janë parashikuar fondet e mjaftueshme për trajnim të stafit dhe blerjen e pajisjet. Agjencia dhe ministria janë të vetkënaqura me vetmonitorimin, që u lejon subjekteve të lidhin kontrata me palë të treta, laboratorë të akredituar në Tiranë dhe ata të vijnë të kryejnë matjet pranë bizneseve. 99 për qind e raporteve të monitorimit tregojnë që çdo gjë është brenda normave, por realiteti është tjetër. Ministria apo agjencia nuk kryejnë inspektimet e nevojshme për të verifikuar nëse raportet janë fiktive apo të vërteta. Kjo është situata, ka një megakorrupsion sa i takon mjedisit, sidomos te monitorimi dhe inspektimi”.



