
Krematoriumet në kryeqytetin e Indisë, në Delhi, janë detyruar të ndertojnë pire të improvizuara për të djegur trupat e shumtë që kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit.
Stafi po punon pa ndërprerje, ndërsa parqet dhe hapësirat e tjera boshe po përdoren për këtë qëllim. Kjo në një kohë kur familjarëve u është dashur të presin me orë të tëra për të djegur trupat e të vdekurve për shkak të rritjes së kërkesës.
Në Indi vdekjet janë rritur ndjeshëm pas valës së dytë të COVID-it, që ka mbërthyer vendin. Vetëm në Delhi të hënën humbën jetën 380 persona, duke çuar krematoriumet në kolaps.
Zyrtarët po kërkojnë gjithashtu hapësirë shtesë pranë shtratit të lumit Yamuna të qytetit, për t’i kthyer ato në krematoriume.
Vetëm pak ditë më parë spitalet në Indi shpallën gjendjen ‘SOS’, pasi shumë prej tyre nuk kanë më oksigjen për pacientët, të cilët për pasojë vijojnë ende të humbin jetën.



