Politologu Ilir Kalemaj, gjashtë ministritë për koalicionin VLEN të partive shqiptare në qeverinë e re që pritet të votohet në Republikën e Maqedonisë së Veriut i sheh si simbolike dhe pa ndonjë peshë të madhe, me përjashtim të ministrisë së Shëndetësisë.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, Kalemaj deklaroi se duket si një ndarje e drejtë duke parë numrin e ministrive dhe se shqiptarët nuk kanë humbur asgjë në raport me BDI.
Por po të shohësh portofolet, janë posto irrelevante, hiq ministrinë e Shëndetësisë, të tjerat janë ministri të krijuara rishtazi, si ministria e politikës sociale, apo e integrimit.
Janë më tepër ministri simbolike, si ajo e politikave sociale dhe rinisë.
Nuk kanë ndonjë peshë dhe mbi të gjitha është e vështirë të konceptohet se sa poste do të ndahen për shqiptarët në nivelet e dyta dhe të treta.

Ndërsa koalicioni VLEN thotë se do të ndërmarrë reforma substanciale që do të kenë efekt sidomos në pjesën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Kalëmaj thotë se janë premtime elektorale që vështirë se materializohen, nëse nuk ke një marrëveshje paraelektorale.
Sipas tij, në momentin që thjesht thua “do mbroj të drejtat e shqiptarëve” pa specifikuar se çfarë do bëjë ndryshe nga BDI, mbetet për tu parë se çfarë do të bëjë ndryshe.
Jo më larg se dje kryeministri Hristjan Mickovski, përmendi faktin se do përmendi Republikën e Maqedonisë së Veriut në të gjitha deklaratat që bën me krerët e huaj dhe vizitat që bën në këto vende, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, do i thotë thjesht Maqedoni.
Kur të takoj Orban në krye të Presidencës së BE do i drejtohet RMV, ndërsa në Shkup si Maqedoni.
Duke u marrë me këto çështje periferike, mendoj se është në kufijtë e populizmit dhe turbo-nacionalizmit.
Që kur pashë rezultatet zgjedhore është absurde ajo që po bën BDI dhe fronti europian, është absurde të dalësh forcë e dytë në një kohë që ke qenë në qeveri për 30 vite dhe të këmbëngulësh të qëndrosh në pushtet me një parti që nuk të lidh as ideologjia dhe kur pala tjetër nuk të do, mendoj se është pjesë infantile.
Në vijim për drejtimin e presidencës së BE nga Viktor Orban dhe Hungaria, Kalemaj shtoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë hapur asnjë kapitull nga 35 kapituj që duhen për tu anëtarësuar.
Ndërkohë që Mali i Zi ka përmbyllur 5 kapituj dhe i ka hapur gjithë të tjerët, Serbia ka hapur 22 kapituj. Çfarë e ka penguar Shqipërinë? Maqedonia e Veriut? Absolutisht jo!
Është hapur shampanja shumë herë, por ende jemi në pritje të dritës jeshile. Vendet që marrin presidencën e BE çdo gjashtë muaj kanë më tepër rol ceremonial.
Të gjithë vendet që kanë pasur presidencën gjashtë mujore të këshillit të ministrave, një nga organet e BE, të gjitha e kanë pasur zgjerimin në politikat e tij dhe vendet kufitare janë ato që kanë lobuar më fortë për vendet që kanë në kufi.
Përjashtim bën Greqia për shkak të çështjes Beleri që mund të jetë pengesë për ndihmën në Shqipëri.
Kur është folur për data vetëm zoti Rama ka thënë vitin 2030.
Asnjë analizë e rëndësishme që është bërë nga ekspertë të kësaj çështje, nuk flet për një datë realiste për Shqipërinë para vitit 2035.
Nuk ka asnjë shans për qeverinë shqiptare në këtë stad ku jemi tani, pa hapur asnjë kapitull. Çdo lloj analize të çon në vitin 2035-2040.



