
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se ka një kod heshtjeje kur është fjala për inceneratorin e Tiranës. Soko thotë se përgjegjësia kryesore bie mbi kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ka marrë vendimin për koncesionin 35-vjeçar, pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak.
Ka një Omerta për Tiranën. Nuk duket se do të dalin të akuzuar. I akuzuari i parë është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Duke qenë se te Tirana, loja kryesore është e Erion Velisë, kam pak shpresa ta shoh të avancojë. Pesha e fajit bie mbi Erion Veliaj. Komisioni hetimor e ekspozoi. Ai ka marrë një vendim që prek buxhetin e bashkisë për 35 vjet, pa marrë konsensusin e këshillit bashkiak. Ai nuk e kaloi aty dhe ky është ekspozimi më ashiqare kur është puna për shpërdorimin e detyrës.
Soko tha në MCN TV se hetimet për skemën e inceneratorëve në tërësi nuk kanë arritur te ata që kanë marrë vendimet, ndërsa të hetuarve nuk u janë bllokuar llogaritë.
Kryeministri është i interesuar të mos i lërë pa punë inceneratorët, sidomos inceneratorin e Tiranës që sjell të ardhura të herëpashershme. Kemi kompani të hetuara, me drejtues që janë vënë në akuzë penale, nuk u kujdes njeri të bllokonte llogaritë? Llogaria e inceneratorit të Tiranës nuk është e bllokuar, edhe pse pronari është në kërkim. I bastisin shtëpinë, dhe nuk i bllokojnë llogarinë, është absurd.
Nuk është marrë dikush që ka dhënë këtë vendim, ka firmosur këtë shkresë apo ka miratuar këtë veprim. Ajo që duhet të goditet është të dalin ata që e kanë lejuar krijimin e kësaj strukture për t’i vjedhur para. Nuk kemi një të dënuar për një shkresë.
Është një vepër e paligjshme që përmban shpërdorimin e detyrës. Nuk kemi një zyrtar të lartë, i cili të jetë çuar në gjykatë për shkak të veprimtarisë që kanë kryer.
Kush e krijoi këtë mekanizëm monstruoz të vjedhjes së parave. A ka shkelje ligji në procesin e vendimmarrjes? Ne sot, për hir të moszbatimit të kësaj, humbasim rreth 17 euro për çdo ton mbetje të trajtuar.



